Vdekja e pjesëtarit të maratonës së notit në Sarandë, mjeku zbulon arsyen

652
Sigal

Ditën e djeshme ka ndërruar jetë në Sarandë 72-vjeçari Mark Ademi, pjesëtar i maratonës së notit për Veteranë, që zhvillohej nga Federata e Notit. Pasi ka përfunduar garën e tij në 500 metra dhe sapo ka dalë në breg është ndjerë keq.

Ademi është transportuar në spitalin Rajonal të këtij qyteti. Por aty edhe pse nën kujdesin mjekësor 72-vjeçari nga Lezha, humbi jetën.

Drejtori i spitalit, Tajar Lako në një intervistë për mediat ka treguar se shkak i vdekjes dyshohet të jetë arresti kardiak.

“Mark Ademi ka qenë një notar i vjetër dhe ka ardhur në qytetin tonë për një aktivitet.  Për këtë aktivitet është njoftuar edhe spitali i Sarandës,  i cili ka dërguar pranë aktivitetit edhe një grup infermierësh.

Pasi ka ndodhur zhytja e Mark Ademit nga ato unë kam siguruar nga miqtë e tij që kanë qenë në notim, nuk është ndjerë mirë është nxjerrë në anë të detit ku ka asistuar direkt një mjek. Më pas është thirrur ambulanca dhe aty kanë shkuar 3 infermierë.

Është dhënë ndihma e parë në moment sa për të dhënë reagimin e parë dhe me ambulancë është sjellë në spitalin tonë tek shërbimi i urgjencës ku kanë asistuar 4 mjekë për 45 minuta ose 1 orë, por përfundimi nuk ishte pozitiv. Sipas të dhënave diskutohet për një arrest kardiak”- deklaroi ai.