Urë-Vajgurore, kreu i Këshillit Bashkiak braktis PD-në

541
Sigal

Flet për “Telegraf”, mjeku Brahim Sade: “U largova, sepse nuk u mbajt asnjë premtim i dhënë, kur qyteti ka shumë probleme”

Në momentin që fushata sapo ka filluar të ashpërsohet dhe të bëhet shumë e fortë midis tre forcave politike më të mëdha PS, PD dhe LSI, kryetari i Këshillit Bashkiak, Brahim Sade ka bërë një zgjedhje të re politike. Ai ka kaluar me forcën politike tashmë që është në koalicion me Partinë Socialiste me LSI-në. Sade është shprehur për gazetën që: “Unë deri dje bëja pjesë në Partinë Demokratike, po tashmë e shoh të arsyeshme që të bëjë një zgjedhje të re, duke kaluar me partinë e Ilir Metës. Dua t’i bashkohem LSI-së. Unë kam parë se tek kjo parti ka një lloj ndryshimi krahasuar me vitet e mëparshme. Unë këtu do të gjej vetveten në të gjitha sferat. LSI është një forcë politike që po i jep frymëmarrje situatës në Shqipëri. Por ajo ka dhe një drejtues të mirëfilltë, Ilir Metën, i cili ka krijuar në këtë parti një unitet shumë dashamirëse me elektoratin e saj. LSI, tashmë ka pikësynimet e saja, jo vetëm në Urë-Vajgurore, por në shkallë vendi, ajo ato premtime që thotë i bënë realitet dhe kjo do të jetë dhe motoja jonë që nuk jemi të vonuar të mbështesim këtë parti, e cila për mendimin tim di t’i mbajë dhe të bëjë realitet premtimet e saj”.

Për PD-në

Ndërsa duke iu referuar Partisë Demokratike, Sade tha: “Unë aty ku isha nuk po shikoja ndonjë ndryshim. Po të njëjtat gjëra janë premtuar vite më parë, po të njëjtat po premtohen edhe sot, kur në këtë qytet nuk ka asnjë metër rrugë të asfaltuar. Banorët e qytetit po vuajnë nga ndotja e ambientit, të cilin e krijon minierat e gurit që janë bërë gangrenë për jetën e këtyre banorëve. Unë jam me profesionin mjekë dhe e njohë nga afër situatën shëndetësore të këtyre banorëve. Unë si mjek disa herë e kam kërkuar si në bashki apo në prefekturë dhe në ministri që të ndërhyhet, për të ndaluar këtë gjendje që po rrezikonte seriozisht jetën e këtyre njerëzve të pafajshëm. Disa herë në fushatat e mëparshme si në ato vendore apo parlamentare partitë kanë premtuar se do të shikojnë me përparësi situatën në këtë qytet me 12 mijë banorë, por sa kanë mbaruar fushata nuk është bërë asnjë ndryshim për ato që janë premtuar. Banorët kanë 12 vjet që pinë ujë të ndotur, që pinë ujë lumi edhe pse unë e kam ngritur këtë shqetësim çdo gjë ka përfunduar në vesh të shurdhët. Këto dhe shumë probleme të tjera që nuk kanë gjetur zgjidhje nga qeveria, unë kërkova të gjeja vetën në një forcë politike, e cila këto shqetësime do t’i zgjedhë me ardhjen në pushtet”, tha Sade.