Frank SHKRELI/Roli i medias në fushatën elektorale

594
Sigal

Disa ditë më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati një takim me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqësi shqiptar vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të vendit dhe theksoi “kontributin parësor”, të medias në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Roli i medias është gjithmonë aktual, por siç u tha edhe nga presidenti Nishani përfaqësuesve të medias shqiptare javën që kaloi, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit presin nga media që të informojë publikun mbi politikën, fushatën dhe zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë arsyeja se pse ekziston shtypi ose media e lirë, sidomos gjatë një fushate elektorale, është që t’i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike, duke u komunikuar zgjedhësve çështjet më me rëndësi, me të cilat përballet vendi, dhe për të cilat duhet të interesohen votuesit, në qoftë se dëshirojnë të jenë të mirinformuar se në favor të cilit kandidat ose parti të hedhin votën e tyre. Nuk është roli i medias që të bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet të votojnë, por kontributi i saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me programin e partive, mbi qëndrimet politike të kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me qëllim që votuesi, në bazë të këtij informacioni, të marrë vet vendimin më të mirë, që është i mundur, se për cilin kandidat ose parti të votojë. Në asnjë vend nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.

Natyrisht, që në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqësuesit e tyre, gjithmonë përpiqen të përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë kontributin e vet duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike duke theksuar dhe duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të interesuara partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të influencojë debatin publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe publiku në shkallë vendor dhe kombëtar.  Shtypi është, si të thuash, mbikëqyrës i zhvillimeve politike, dhe në qoftë se e luan këtë rol në mënyrë të ndershme dhe të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në informimin mbi zhvillimet e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të krijojë një atmosferë më të pranueshme dhe më të njerëzishme në marrëdhëniet midis forcave politike dhe  njëkohësisht edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë në gjendje të kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që informacioni i paanshëm dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e duhur dhe të mirinformuar. Roli i medias është mbi të gjitha roli i saj si burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe rolin e edukuesit. Në këtë fazë të fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në informimin e votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet dhe qëndrimet e partive dhe kandidatëve mbi çështjet me rëndësi të vendit.

Ky është një rol kryesor i medias! Rol i pazëvendësueshëm për funksionimin normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha përgjegjësi kombëtare.   Mediat e kontrolluara nga partitë politike, nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat duhet që të sigurojnë mbulimin e të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet publike.

Respektimi ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie funksionale, por edhe në tregues i respektimit ose jo të lirisë së të shprehurit në përgjithësi. Autoritetet kanë përgjegjësinë morale dhe kombëtare që të respektojnë dhe të inkurajojnë zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura, ndërkohë që organet mediatike, nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e vet për të mbështetur proceset demokratike nëpërmjet mbulimit objektiv dhe të paanshëm të fushatës së zgjedhjeve dhe jo nëpërmjet interesash të ngushta partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht nuk kanë të mirën e përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre, por interesat e ngushta e të përkohshme politike ose ekonomike të tyre. Ato media mund të jenë të lira, por nuk janë të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në punën e tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur. Media e pavarur, objektive dhe e paanshme është një e drejtë e qytetarit për të qenë i informuar.

Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se, ”Monopolizimi ose përqendrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm”. Në raportin e fundit organizata “Freedom House”, tha në lidhje me pavarësinë e medias në Shqipëri, se “Liria e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por përparimi drejt rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka ngecur në vend numëro”.

Legjislacioni shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që të furnizojë shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të plotë dhe të saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e informacionit. Ligji kërkon gjithashtu që entet mediatike të mbulojnë, në mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët dhe partitë pa dallim.   Në një raport parazgjedhor që bëri në Shqipëri, marsin që kaloi një delegacion amerikan i Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, “Pronarëve të medias, redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete brenda organizatave të tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të integritetit gazetaresk….”

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur, në një deklaratë për shtyp me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, “Kuvendi i Shqipërisë, entet mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të avancojnë lirinë e medias në Shqipëri. E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet nga një medie e fortë dhe e pavarur”, nënvizoi ai.

Në një demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të shpalosen dhe të dëgjohen. Një gazetë ose një media e çfarëdo lloji qoftë, elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari objektive, të paanshme dhe profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq një numër të madh lexuesish dhe shikuesish. Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjshëm si përfaqësues i shtetit duhet të dëgjojë hallet e popullit, nëpërmjet medias, e cila duhet të informojë qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e thirrur nga Presidenti Bujar Nishani, me përfaqësues të shtypit dhe medias javën që kaloi, është një nismë që duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe faktor i zakonshëm në marrëdhëniet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të qeverisë, me përfaqësues të medias. Askujt nuk i pëlqejnë kritikat për ato që mund të shikohen si të meta ose dështime, por një përfaqësues i popullit është i detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të cilat përballen qytetarët dhe media e ka për detyrë morale dhe profesionale të informojë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në standardet më të larta etike të gazetarisë.

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro Azinë