Universiteti Politeknik i Tiranës fillon “dallaveret”, i jep 13 miliardë firmës “maskë” të Bashkim Ulajt

197
Sigal

Universiteti Politeknik i Tiranës në vend që të zgjidhë hallet e vështirësitë e shumta që hasin studentët gjatë vitit akademik duket se ka përveshur mëngët dhe i është futur “me kokë” dallavereve. Nuk bëhet fjalë për dallavere dosido, por nga ato që kapin shifrën 13 miliardë lekë.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-49523-11-10-2022 dhe me objekt “Ndërtim i ri godina e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit 1,5,6 dhe 7 kat, me një kat nëntokë”. Fondi limit i kësaj procedure është vendosur 1,080,517,131 lekë të reja pa TVSH ose rreth 13 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Por le t’i hedhim një sy dokumenteve të tenderit. Duke hulumtuar fashikujt shikohet se në garë kanë marrë pjesë 8 kompani, nga të cilat 3 prej tyre nuk kanë ofruar fare ofertë, por janë paraqitur thjesht si pjesëmarrës me vlerë zero sa për të plotësuar numrin se gjoja ka patur konkurrencë të ndershme.

Imagjinoni se sa mirë mund të ishin përdorur këto 640 milionë lekë të vjetra të paguara shtesë, në ndihmë të studentëve dhe universitetit. Por cila është kompania fituese së cilës i qenkan bërë kaq shumë favore? Bëhet fjalë për 4 A-M e cila me letra ka si pronar shtetasin Ardit Metaliaj sipas joq.

Por në media ka shumë artikuj që shprehen se në fakt pas tij fshihet oligarku Bashkim Ulaj. Siç duket me afrimin e fushatës zgjedhore, thesi i parave publike ka filluar të hapet rëndshëm. Së fundmi nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit, shikojmë se vlera fituese është sa 99.37% e fondit limit, një tjetër indicie që ngjall dyshime të forta se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.