Kerkesa e studentëve për provime online, Universiteti i Tiranës jep vendimin

293
Sigal

Universiteti i Tiranës do ta zhvillojë online sezonin e provimeve edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve lejoi kthimin në auditore. Ky vendim vjen pas kërkesës së vetë studentëve.

Kërkesa është marrë në konsideratë ndërkohë që rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, thotë se disa provime do të zhvillohen në auditore sipas specifikave.

“Parimisht provimet në terësinë e tyre do të zhvillohen online si në semestrin e parë kurse ato programe që kanë specifikë do të kenë mundësi ti zhvillojnë provimet në auditor”,- shprehet ai.

Ndërkohë te enjten Rektori i UT prezantoi edhe dekanen e re të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha, e cila mori detyrën pasi profesor Artur Sula, i cili kishte fituar këtë post humbi betejën me Covid.

Kromidha tha se edhe këtë sezon do të ketë lehtësira për të gjithë ata studentë të cilët nuk mund të marrin pjesë në provime për shkaqe të ndryshme duke u lënë një datë tjetër për mbylljen e ciklit.

“Do tu jepet mundësia studentëve  në dy data, për ata që nuk kanë mundësi objektive mund ti zhvillojnë online, ata që mund të jenë fizikisht të pranishëm mund ti zhvillojnë në auditor. Do të merren parasysh të gjitha pamundësitë objektive të studentëve për të qenë fizikisht në Tiranë”,- tha ajo.

Fakulteti i parë i cili do të nisë sezonin e provimeve është ai i Drejtësisë, pas datës 20 maj, e më pas sezoni do të vijojë me të gjitha të tjerat.