Unioni i Gjyqtarëve: Pezullimi nga KLD, cënon balancimin e pushteteve

Unioni i Gjyqtarëve shpreh qendrimin e vet kundër dispozitës sipas së cilës në rast procedimi penal ndaj një gjyqtari, KLD-ja duhet ta pezullojë nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. Në një letër që unioni i ka dërguar komisionit të Ligjeve, nenvizohet se, “imuniteti i gjyqtarëve është kufizuar në Kushtetutë dhe ata mund të ndiqen penalisht pa asnjë pengesë. Ndërsa një veprim i tillë nga KLD do të ekspozonte pavarësinë e gjyqtarëve dhe gjyqësorit ndaj një rreziku të shtuar, jo vetëm nga pushtetet e tjera, por edhe nga vetë palët ndërgjyqëse. Ky parashikim, në optikën tonë, nuk është në pajtim me Kushtetutën, përkatësisht me nenin 138 të saj, pasi cënon kohën e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve, për sa kohë nënkupton pezullim automatik nga ushtrimi i funksionit, thjesht dhe vetëm me regjistrimin e procedimit penal, përtej masave ndaluese të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale”. Sipas unionit, kjo cënon parimin e palëvizshmërisë së gjyqtarëve, si një ndër garancitë themelore të pavarësisë së tyre, si dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të parashikuara, respektivisht, nga neni 145 dhe neni 7 i Kushtetutës. Bazuar në sa më lart, mendojmë se kjo dispozitë nuk duhet miratuar siç është parashikuar.” thuhet në letrën e Unionit të gjyqtarëve dërguar Fatmir Xhafës.

Sigal