Ulet numri i aksidenteve, por rritet ai i viktimave

409
Sigal

Sipas statistikave të fundit të publikuara nga INSTAT, në muajin nëntor të vitit 2019 në Shqipëri kanë ndodhur 109 aksidente rrugore nga 130 aksidente të ndodhura në muajin Nëntor 2018, duke u ulur kështu me 16,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po sipas INSTAT, për 11 muajt e këtij vit, numërohen 1.363 aksidente rrugore nga 1.582 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetë mujorin e 2018, duke u ulur me 13,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në muajin Nëntor 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 144 persona nga 171 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 15,8 %. Numri i të aksidentuarve në njëmbëdhjetë mujorin e vitit 2019 është 1.857 persona nga 2.129 persona, duke u ulur me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në muajin Nëntor 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 21 persona nga 22 persona të vdekur në Nëntor 2018. Në njëmbëdhjetë mujorin e 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 203 persona nga 190 persona në të njëjtën periudhë të një viti më pare”, shkruhet në faqen e INSTAT.

Pra kemi ulje të numrit të aksidenteve por siç edhe konstatohet nga shifrat e dhëna kemi njëkohësisht rritje të dukshme të numrit të viktimave.

Sipas të njëjtit bilanc zyrtarë, në muajin nëntor 2019, aksidentet rrugore në 76,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në njëmbëdhjetë mujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 33,4 %, krahasuar me një vit më parë.

Por ajo që vihet re në këtë raport të INSTAT është se nuk figuron as gjëkundi si `fajtore` as policia rrugore dhe as gjendja e rrugëve në Shqipëri.