Administrata e ISSH, ose e paaftë, ose e mefshtë, ose e korruptuar…

344
Shkëlqim SELMANI 
Kolonel në rezervë 

Pse i përplasni ushtarakët në rezervë në dyert e gjykatave?! 
Në fjalimin e fundit, ditën e shpalljes së qeverisë së re dhe objektivave të saj 4 vjeçare, kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, midis të tjerash bëri edhe një deklaratë të fortë, të frikshme, por të vërtetë në drejtim të administratës aktuale të shtetit. Përafërsisht ai deklaroi, se qeveria e ardhshme nuk duhet ta shikojë opozitën vetëm te opozita politike, por në radhë të parë tek administrata që në pjesën më të madhe është e paaftë, e korruptuar që vegjeton, sorollat dhe rrjep njerëzit e thjeshtë. Kjo shprehje më së miri zë vend dhe për Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Degët e tij në rajone apo rrethet e Shqipërisë. Fjala është për pensionet e shqiptarëve në përgjithësi që ka 27 vjet dhe nuk po gjejnë një zgjidhje ligjore,të drejtë dhe njehsuese, por vazhdojnë të jepen, jo vetëm në vlerë të ulët denigruese, por edhe me diferenca të ndryshme për kategori të njëjta e vjetërsi të njëjtë; gjë që nuk ndodh në asnjë shtet të planetit veç në Shqipëri. Kjo rrumpallë e mirë organizuar me skema e stërskema, me ligje e me akte nënligjore që kundërshtojnë ligjet, kur duhet të ishte e kundërta dhe kjo hipokrizi e cinizëm politik e ka kthyer në përgjithësi këtë shtresë shoqërore me kontribute madhore në qenie të depersonalizuara, që, në vend të gëzojnë disa vite pensioni, shtyjnë ditët duke luajtur domino e ngrënë ndonjë misër apo duke pirë ndonjë kafe turke me shumë sheqer. Zgjidhja është fare e thjeshtë; për çdo pensionist, sipas vjetërsisë, kategorisë së punës e pagës mesatare të 5 viteve të fundit t’i paguhet 70 apo 75 për qind e pagës. Kaq, vetëm kaq dhe kjo e baraz vlefshme për të gjithë njësoj brenda të njëjtës kategori e jo ca që kanë dalë në 1996 paguhen më pak për të njëjtën kategori e vjetërsi, ca të 2005 paguhen pak më shumë e ata që kanë dalë në pension pas 2014 paguhen shumë më shumë, sikur nuk janë të gjithë shtetas shqiptar e nuk jetojnë në të njëjtin shtet ?! Ja kjo është një panoramë e dhimbshme e pensioneve të shqiptarëve në përgjithësi, por në këtë shkrim unë do përqendrohem në ato të ushtarakëve në rezervë, fushë që e njoh më mirë dhe që halli dhe përvoja gjyqësore më kanë detyruar të bëhem jurist e specialist. Para disa ditësh, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, zoti Zaganjori bëri një deklaratë shqetësuese e domethënëse, se Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim 4 000 dosje gjyqësore të ushtarakëve në rezervë dhe se janë në pritje për t’u shqyrtuar edhe 14 000 dosje të tjera?! Kjo deklaratë shqetësuese të bën të mendosh dhe po të jesh ushtarak në rezervë, të bërtasësh me zë të fortë : Përse, përse ushtarakët e larguar nga puna nga shteti në kuadrin e gjoja reformave apo shkurtimeve të vendeve të punës të trajtohen në mënyrë skandaloze dhe antiligjore dhe pastaj nga drejtuesit a nëpunësit e sigurimeve shoqërore të përplasen vite me radhë në dyert e gjykatave?! Përse, përse duhet që ata të venë në gjykatë për të fituar të drejtën e tyre, siç e kanë fituar në 95% të rasteve, kur statusi i ushtarakut që nga viti 1991 dhe të gjitha ligjet më pas janë shumë të qartë dhe përcaktojnë shumë thjeshtë formulën si duhet paguar një ushtarak në rezervë; 50% të pagës për ata që kanë mbushur 15 vjet vjetërsi shërbimi për burrat dhe 12 vjet vjetërsi shërbimi për gratë plus 2% për çdo vit më tepër se 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë. Kaq e thjeshtë. Por ç’ka ndodhur që kjo formulë e përcaktuar që në 3 Korrik të vitit 1991 me Ligjin Nr 7496, “Statusi i Ushtarakut” dhe që nuk ka ndryshuar asnjëherë në thelbin e vet edhe në 7-8 ligjet e tjera që kanë dalë në vitet më pas për këtë status, nuk është zbatuar drejtësisht dhe i ka detyruar mijëra e mijëra ushtarakë të përplasen në dyert e gjykatave? Politika e mbrapshtë dhe administrata e mefshtë kanë nxjerrë më pas ligje e akte nënligjore të cilat i keqinterpretojnë qëllimisht për të ulur masën e shpërblimit për ushtarakët në rezervë. ISSH dhe degët e tij në rrethe, me porosi nga lart, bëjnë interpretime të gabuara të akteve nënligjore, siç është ai Nr.5 datë 10.11.2010, neni 3, që ka masakruar pensionet e parakohshme të ushtarakut: Në këtë Akt Normativ thuhet, se pikat 1 dhe 2 të nenit 14 të ligjit 10142 datë 15.05.2009, ndryshohen, si më poshtë vijon: 

1. “Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi”. Dhe mbi këtë bazë mjeshtërit mafiozë të sigurimeve shoqërore bëjnë rillogaritjen antiligjore duke lënë qëllimisht, pa e marrë parasysh pikën 2 të këtij Akti.. Dhe ja ç’përcakton kjo pikë:

2. “Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; pra masa e pensionit ( jo plus shtesat etj.) nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë dhe këtë pikë këta rillogaritësit e paaftë, apo të ligj, apo të korruptuar të ISSH nuk e marrin në konsideratë edhe pse është pjesë e të njëjtit akt normativ që ata e marrin për bazë kur duan tu bëjnë keq ushtarakëve dhe ti përplasin nëpër dyer të gjykatave, ku jo vetëm humbin kohën e çmuar por edhe zvarriten me vite të tëra se kështu janë procedurat e gjykatës administrative. Gjithsesi ky Akt Normativ që i sjell vërdallë ushtarakët në rezervë ka rënë dhe nuk ka asnjë bazë ligjore me Vendimin Nr. 33 të vitit 2013 të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton se pensionet e parakohshme të ushtarakut do “rillogariten vetëm në ato raste që sjellin përfitime pozitive. Po kush do t’ia dijë edhe pse gjykatat, për hir të së vërtetës, u kanë dhënë të drejtë thuajse në të gjitha rastet e gjykimit ushtarakëve. Edhe njëherë unë i kthehem pyetjeve pa përgjigje deri më tani: Pse ne ushtarakët duhet të përplasemi në gjykatë. Pse ISSH dhe degët e saj në rrethe nuk e zbatojnë ligjin vetë, kur këtë ja u dikton edhe Kodi Administrativ në shumë nene të tij. Përse Komisionet Ankimore pranë ISSH dhe Degëve Rajonale të saj nuk i marrin parasysh ankimet e ushtarakëve, por u kthejnë përgjigjen idiote standarde: Kërkesa juaj nuk përbën objekt shqyrtimi për moskompetencë lëndore nga Komisionet e Ankimimit të parashikuar nga neni 86, pika 1 dhe 2 të ligjit 7703 datë 11.05.1993 ?! Komisioni i Ankimimit nuk shqyrton ankimet?! Vetëm në Shqipëri ndodh! Dhe në fund një pyetje e fundit: Kur do marrë fund kjo odise e pafund për ushtarakët dhe jo vetëm dhe kur do marrë fund kjo maskaradë e kësaj administrate zvarranikësh të paaftë, a në mos të korruptuar që ta sjellin shpirtin në majë të hundës, sa t’i thuash shpirtit, pirdhu e të bësh të pabërën. Na latë udhëve, o të paudhë…!