U propozua për të marrë postin e Presidentit/ Pse përpara votimit në Parlament, Bajram Begaj do të heqë dorë nga posti dhe grada ushtarake

183
Sigal

Ditën e nesërme, Parlamenti pritet të votojë emrin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajt për të marrë postin e Presidentit të Republikës.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije për Panorama.al se Bajram Begaj do të heqë dorë nga postet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor.

Mësohet se ai do të heqë dorë vetëm pak përpara votimit në Parlament. Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë.

Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie.

Neni 89

Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.

Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.

“Në Forcat e Armatosura gradat u jepen oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve, studentëve ushtarakë dhe ushtarakëve në rezervë. Ato klasifikohen:

a) Për oficerët aktivë: i) grada madhore; ii) grada të larta; iii) grada të ulëta.”

Kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e sotme pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, se mazhoranca propozoi emrin e Bajram Begës për të marrë postin e Presidentit të ri.

Menjëherë pas njoftimit të kreut të qeverisë, ka reaguar dhe Bajram Begaj i cili ka pranuar propozimin e Ramës.

KUSH ËSHTË BAJRAM BEGAJ?

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.