Zaçe Islami: Që të ketë drejtësi, kjo klasë politike do shkonte në gjyq për korrupsion, krime, trafik droge

591
Juristi Zaçe Islami në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se asgjë nuk do të ndodhë edhe me reformën në drejtësi. Zoti Islami thotë se, që drejtësia të japë drejtësi, duhet që e gjithë kjo klasë politike, që na qeveris në 25 vjet, duhet të shkojë në gjykim te drejtësia për korrupsion, krime, trafik droge. Ndaj, thotë zoti Islami, dy partitë, kur e shikojnë që u rrezikohet pushteti, bashkohen. Zoti Islami i bën pyetje ambasadorit Lu, që, derisa kritikon për ministra të korruptuar, përse atëherë i takon ata dhe përse nuk ngrin marrëdhëniet me këta pushtetarë? Zoti Islami shprehet, se edhe ligji i ri i pronave do të jetë vazhdim i ligjeve të deritanishm, dhe nuk do të zgjidhë problemin, sepse “Qysh nga viti 1991 e deri më sot, ligji i pronave është ndryshuar disa here, por gjithmonë në përshtatje të interesave të politikanëve të çdo ngjyre, pa përjashtime dhe që ende sot shqiptarët sorollaten dyerve të arkivave e hipotekave dhe pronat nuk po i marrin”. 
-Zoti Islami, ndryshimet kushtetuese që propozohen të bëhen për reformën në drejtësi do të prekin gjithë strukturën e sistemit të drejtësisë. Vallë, struktura e deritanishme, është problemi i sotëm i drejtësisë tonë?
– Problem madhor dhe i pashërueshëm për drejtësinë në Shqipëri është klasa politike, që qeveris vendin sot e 25 vjet. Vendosja e drejtësisë fillon me regjistrimin e përgjithshëm të pasurisë dhe të pronave. Pa përjashtim, cilido që kapërceu pragun e parlamentit, u pasurua, por askush nuk po deklaron as pasurinë, as origjinën. A di shteti dhe shoqëria që gjyqtarë e prokurorë janë super milionerë? Pa tjetër që e di, por korbi korbit s’ia nxjerr sytë. Kanë ngritur një institucion, të ashtuquajtur të deklarimit të pasurisë, por ai është një instrument në duar të tyre për të fshehur pasuritë nga njëra anë dhe për të hedhur hi syve shtetasve, nga ana tjetër. Në këto kushte, a mund të bëhet fjalë për drejtësi?!… Absolutisht jo, sepse sistemi i drejtësisë është në duar të pasardhësve dhe pinjollëve të ish zyrtarëve të nomenklaturës komuniste super të pasur, kemi plot gjyqtarë, prokurorë e oficerë të policisë gjyqësore që kanë qenë ish-hetues e gjyqtarë, apo ish oficerë të sigurimit famëkeq dhe bashkëpunëtorë të tij. 
– Me draftin e ri që është çuar në Komisionin e Venecias për vlerësim, ju mendoni se politika nuk do të ketë ndikimin e saj te vendimmarrja e drejtësisë?
-Mendoj se nuk do ndryshojë absolutisht asgjë me reformën në drejtësi, thjesht do t’i bëjnë një retush të mirë sistemit ekzistues, do t’i bëjnë dhe një make up special dhe situata do ngelet ashtu sikundër është. Historikisht dihet tashmë se në asnjë sistem politik, madje edhe në vendet më demokratike, drejtësia nuk ikën nga duart e pushtetit politik.
– Testi i drogës duhet të bëhet edhe për deputetët?
– Partia në pushtet e refuzon. Pse? Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se janë të droguar, por nëse është kështu, ku janë furnizuar? Pse nuk i kanë denoncuar furnizuesit e tyre? Këtu s’kanë nga lëvizin, fakti që nuk pranojnë testin e drogës, i nxjerr automatikisht me shqelma nga parlamenti, po kush ta bëjë këtë? Normalisht, këtë duhet ta bëjë Prokurori i Përgjithshëm. Po a mund të bëjnë këta deputetë e qeveritarë luftë kundër drogës? Po ata qindra të burgosur për trafik droge, a duhet të qëndrojnë më në burgje? Pse politikanët tanë dhe kryesisht ligjvënësit kanë dy masa e dy qëndrime? Pra, e thënë më qartë, nëse me të vërtetë do ndodhte ndonjë mrekulli që drejtësia të bëjë drejtësi, pa frikë që e gjithë kjo klasë politike do shkonte në bankën e të akuzuarve për korrupsion, krime, vjedhje tenderash e milionash, fshehje pasurie trafik droge etj etj.
– Ambasadori Lu, haptazi bëri fjalë për deputetë kriminelë dhe ministra të korruptuar. Sa mund të besojmë që edhe kjo qeveri, edhe parlamenti të bëjnë një reformë të tillë në drejtësi që, së pari të gjykojë të korruptuarit, derisa ka 2 vjet dhe nuk ka bërë asgjë?
– Dua t’i kujtoj ambasadorit amerikan se ishte ky kryeministër që me arrogancë dhe pa pikën e edukatës deklaroi nga “Zëri i Amerikës”: “Nuk ka bir k……që më rrëzon mua nga pushteti”? Unë, si edhe qindra mijëra shqiptarë të tjerë, i pyesim partnerët tanë perëndimorë: Si mbani marrëdhënie me një qeveri dhe një parlament të tillë, kur ju vetë deklaroni se janë kriminelë dhe të korruptuar? Gjëja më e paktë, do ishte ngrirja e marrëdhënieve me ta, gjë që asnjë partner perëndimor nuk po e bën, duke ju dhënë të kuptojnë shqiptarëve se këta mirë i kini, i meritoni. Është utopi të mendojë dikush se ky parlament do bëjë reformë në drejtësi, kjo nuk do ndodhë kurrë, vetëm do retushojnë sistemin ekzistues. Që të bëhet reformë duhet në radhë të parë që dikush të shkarkojë dikë, por kush mund ta bëjë këtë? Askush, pasi, është “sekret shoqëror” se për çdo vend pune gjyqtar, prokuror, apo oficer policie gjyqësore janë paguar shuma marramendëse, sipas shkallëve. E dimë të gjithë që kemi një nepotizëm të llahtarshëm në drejtësi e politikë, si p.sh burri deputet gruaja gjyqtare, burri në gjykatë të lartë gruaja në gjykatë të shkallës parë e me qindra shembuj të tillë. Në këto kushte, askush të mos mendojë se do bëhet reformë. 
– Nisur nga vlerësimi juaj, ku janë risitë e kësaj reforme?
– Unë po jua përsëris: rezultati final baras do jetë 0! Jam i bindur që do jenë si ato të 21 prillit 2008, pasi është vërtetuar tashmë katërçipërisht se nuk ka opozitë reale në Shqipëri dhe në momentin që dy partitë e mëdha do shikojnë që u rrezikohet pushteti, ato bashkohen. 
– A është i plotë ligji i ri i qeverisë për zgjidhjen e çështjes së Pronave, derisa ky është një kusht i rëndësishëm i BE për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE?
– Pikërisht këtë pres edhe unë nga drafti i propozuar prej tyre për ndryshimet kushtetuese. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi dhe nuk mund të ndodhte, sepse komunistët, menjëherë pasi ndërruan emrin e PPSH në PSSH në 19 Korrik 1991, miratuan ligjin më antikombëtar 7501. Pasojat politike dhe ekonomike të këtij ligji vazhdojnë të rëndojnë përditë e më shumë jetën dhe ekonominë e vendit. Në aspektin politik ky ligj bëri atë që s’i kishte shkuar kujt ndërmend, AUTOKTONIZOI minoritarët grekë në Shqipëri prezenca e të cilëve në Jug të vendit akoma s’i ka mbushur dy shekuj. Qysh nga viti 1991 e deri më sot, ligji i pronave është ndryshuar disa here, por gjithmonë në përshtatje të interesave të politikanëve të çdo ngjyre pa përjashtim dhe që ende sot shqiptarët sorollaten dyerve të arkivave e hipotekave dhe pronat nuk po i marrin. Jo më larg se javën e kaluar, Shqipëria u gjobit me 5,5 milionë euro nga Gjykata e Strasburgut dhe ironia këtu është se këto para i paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe jo hajdutët e pronave. Ata i vjedhin dhe paratë i paguajmë ne. Ligji i ri i pronave nuk është gjë tjetër, veçse një variant i ligjeve të mëparshëm. Për pronat nuk është e nevojshme fare që të bëhen ligje pas ligjesh në zbatim të porosive të Ramiz Alisë për t’i sorollatur pronarët dhe kurrë të mos ju jepen. Unë mendoj se BE-ja duhet të kërkojë kthimin e pronave pronarëve sipas regjistrimit të vitit 1946. Vetëm dhe vetëm ky është varianti më i drejtë për pronat.
– Faleminderit!
Sigal