U përplas te diga e liqenit, 28-vjeçari i shpallur në kërkim, dyshohet se pas aksidentit mori mjekim në Fier

42
Sigal

Emiljano Nina, 28-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia për aksidentin e pazakontë te diga e Liqenit Artificial nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i skeduar dhe i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Por çfarë ndodhi pas aksidentit në orën 05:00 të mëngjesit te Diga dhe si i shpëtoi kapjes 28-vjeçari?

Burime nga policia bëjnë me dije se Nina është larguar pas aksidentit me ndihmën e pronarit të mjetit Eldi Allushi, i cili u ndaluar vetëm orët e pasdites së të martës nga blutë. Dyshohet se Nina, i cili drejtonte “BMW X6” ka pësuar lëndime pas aksidentit, por me gjithë kontrollet e policisë ai nuk është gjetur në asnjë spital apo klinikë në kryeqytet.

Sipas të njëjtave burime, 28-vjeçari ka marrë mjekim në Fier. Nuk dihet saktësisht se në cilin ambient spitalor, por në qytetin e Fierit.

Policia shkoi fillimisht te 26-vjeçari Eldi Allushi pasi leja e qarkullimit të mjetit të aksidentuar ishte në emrin e tij. Pas shoqërimit është evidentuar se Allushi nuk kishte asnjë lëndim në trup, me gjithë përplasjen e fortë.

Gjatë arrestimit të Alushit janë sekuestruar shkopa bejsbolli dhe sende të tjera të paligjshme.

Emiljano Nina akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushit, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.