Fluturoi me “BMW X6” mbi digën e Liqenit, policia shpall në kërkim shoferin, 26-vjeçari i ndaluar fshehu krimin

48
Sigal

Shpallet në kërkim autori i aksidentit të djeshëm te Diga. Emiljano Nina, sipas policisë ka qenë në timonin e “BMW X6”, e cila me shpejtësi marramendësi hipi mbi Digë.

Ndërkohë në pranga ka përfunduar për “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” pronari i mjetit, Eldi Allushi.

Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:

-Eldi Allushi, 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin Jurgen Allushi, 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– kanë shpallur në kërkim shtetasin Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Emiljano Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushi, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Shtetasi Eldi Allushi ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit Emiljano Nina. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi.