U përfitua me dokumenta fallso, prokuroria sekuestron 4 mijë metra katrorë tokë në bregdet

512
Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive për një sipërfaqe toke prej mbi 44 mijë metra katrorë, me vlerë tregur rreth 4.4 milionë euro në zonën bregdetare të “Jonufrës” në qytetin e Vlorës, e dyshuar se është përfituar nga pasardhësit e shtetasit Gjon Gjonboçari në bazë të dokumentave të fallsifikuar.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në shkurt të vitit 2015, në bazë të kallëzimit të Hipotekës së Vlorës, për veprime të kundërligjshme të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.
Në vijim të hetimeve të organit të akuzës për një seri vendimesh të regjistrimit të pronave, për të cilët janë nën hetim ish-juristja Blerina Dhami dhe ish-kryeregjistruesi i Vlorës, Kujtim Sulçe, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Ardian Gjonboçari, pasardhës i të ndjerit Gjon Gjonboçari, nëpërmjet dokumentave të fallsifikuara, ka regjistruar në vitin 2009 në ZVRPP (Hipotekë) një hapësirë toke me sipërfaqe totale 44 mijë m2, e cila, për më tepër është regjistruar si “tokë bujqësore”, ndërkohë që faktikisht gjendet në bregdetin e Vlorës.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Ardian Gjonboçari, nëpërmjet një prokurore si përfaqësues i të atit të tij, ka depozituar në vitin 2009 në Hipotekë një fotokopje të njehsuar me origjinalin të një akti të marrjes së tokës në pronësi, lëshuar në vitin 1996. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se dokumenti origjinal i vitit 1996 nuk gjendet në asnjë nga institucionet që kanë për detyrë nxjerrjen, ruajtjen dhe administrimin e dokumentave të pronave”.
Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky dokument, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pronës në emër të pasardhësve të shtetasit të ndjerë Gjon Gjonboçari, është i fallsifikuar.
Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestron preventive mbi këtë sipërfaqe toke, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës.
Hetimet e organit të akuzës, toka në bregdet u regjistrua si bujqësore
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Z.Q.Rr.P.P Tiranë, ka rregjistruar procedimin penal me nr.375 të vitit 2015, për veprat penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal ka rezultuar se në Z.V.Rr.P.P Vlorë, në numërin rendor nr.1709, datë 26.1.2012 të rregjistrit hipotekor, është rregjistruar në pronësi të subjektit Gjon Gjonboçari një pasuri e paluajtshme me sipërfaqe totale prej 44.168 m², e ndodhur në vëndin e quajtur “Jonufra”, Vlorë.
Pasuria e mësipërme është rregjistruar mbi bazën e dokumentit “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, Nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonboçarit, në përmbajtje të të cilit përshkruhet se personi i mësipërm ka përfituar një sipërfaqe tokë bujqësore prej 57.200 m². Dokumenti i mësipërm dyshohet se është me përmbajtje të falsifikuar dhe nuk rezulton që ky akt të jetë nxjerrë nga organi kompetent.
Njëkohësisht, rregjistrimi i pasurisë së mësipërme është kryer mbi bazën e veprimeve të kundraligjshme të ish punonjësve të Z.V.Rr.P.P Vlorë dhe të ish punonjësve të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Vlorë.
Në rrethanat e mësipërme, është vlerësuar se pasuria e paluajtshme e rregjistruar mbi bazën e dokumentit “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, Nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonboçarit, me sipërfaqe totale prej 44.168 m², e ndodhur në vëndin e quajtur “Jonufra”, Vlorë, përbën produkt të veprave penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin me nr.551, datë 03.12.2015, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur masën e sigurimit pasurore “sekuestro preventive” lidhur me pasurinë e paluajtshme të rregjistruar mbi bazën e A.M.T.P nr.20691, datë 01.09.1996, në emër të Gjon Gjonbocarit, që bën fjalë për sipërfaqen prej 57.200 m², por që në fakt është rregjistruar vetëm sipërfaqeja totale prej 44.168 m².
Pasuria e paluajtshme në fjalë është e rregjistruar si tokë bujqësore, por ndodhet në vijën bregdetare të qytetit të Vlorës, në vëndin e quajtur “Jonufra”. Duke u nisur nga destinacioni i kësaj pasurie të paluajtshme, vlera e tregut të kësaj pasurie të paluajtshme është në shumën prej rreth 4.400.000 euro.
Aktualisht, po vijojnë hetimet e mëtejshme për marrjen në përgjegjësi penale të personave të përfshirë në veprimtarinë e kundraligjshme të rregjistrimit të kësaj pasurie në pronësi të subjektit Gjon Gjonboçari.
Sigal