U nda nga jeta papritur, homazhe në nderim të gazetarit Artur Zheji. Personalitete të jetës publike, medias, politikës dhe të afërm i japin lamtumirën e fundit

Homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji, kanë nisur këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve.

Personalitete të jetës publike, medias, politikës, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit Zhejit.

Sigal

Artur Zheji, 64 vjeç, u nda nga jeta para dy ditësh në Sarandë, ku ndodhej për pushime me familjen. Ai njihej si një nga figurat më të spikatura të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji ka shërbyer si drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe media të tjera, duke u bërë një nga zërat më të rëndësishëm të debatit publik në vend.

Përveç rolit si gazetar dhe drejtues emisioni, ai ishte edhe editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë të thella në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

Gazetari Artur Zheji do të prehet në varrezat e Tufinës, në Tiranë.