U kap me 58 kg drogë në makinë: Zyrtarja ishte numëruese e PS-së në KZAZ, u padit për falsifikim

96
Sigal

Erisa Fero, punonjësja e AKSHI, e cila u kap në makinën ku u gjetën 58 kg drogë, rezulton të jetë kallëzuar nga KQZ në prokurori për falsifikim të rezultatit të votave. Mësohet se në 22 dhjetor të vitit 2021, Erisa Fero është kallëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me 21 komisionerë.

Fero ka qenë anëtare e PS si pjesë e një komisioni të numërimit të votave në një KZAZ. Për shkak se në komisionin ku bënte pjesë Fero, rezultati i votave ishte falsifikuar, KQZ ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për 21 komisionerë, mes të cilëve dhe Erisa Fero.

Ata janë akuzuar si të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, si dhe për heqjen apo shtimin e votave për kandidatët e partive të ndryshme.

Operacioni i koduar “Restart” u krye nga prokuroria e Pogradecit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Korçës.

Në makinë së bashku me Feron ishte dhe Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë Kruja dhe një 17-vjeçar me inicialet M.K.

Lënda narkotike mendohet se vinte nga zona e Shkodrës, ndërkohë që nga hetimet e kryera rezulton se tre shtetasit kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.