Avokati Kujtim Cakrani ka reaguar në ‘MCN Live’ lidhur me dhunën e ushtruar ndaj tij pak ditë më parë në një pikë karburanti në Vlorë, duke akuzuar policinë për mungesë angazhimi në zbardhjen e ngjarjes.
Cakrani u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nga dita e hënë do t’i rikthehet normalisht punës.
Ai theksoi se nuk i njeh personat që e sulmuan, por nuk përjashtoi asnjë pistë, përfshirë edhe mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me detyrën e tij si avokat apo me qëndrimet publike.
Nuk krijoj konflikte për shkak të korrektesës që kam me klientët. Kam mbrojtur persona me impakt publik dhe për shkak të qasjeve të mia kam marrë edhe shantazhe e fyerje në rrjetet sociale. Nuk përjashtoj asnjë mundësi, por arsyen e saktë duhet ta zbardhin oficerët e policisë.
Sipas avokatit, ngjarja ka ndodhur brenda një minute në një pikë karburanti të pajisur me kamera sigurie të cilësisë së lartë. Ai shtoi se në raste të tjera policia publikon pamje filmike, ndërsa në rastin e tij, ka treguar apati.
Është minimalja që në këto raste të dalin pamjet filmike dhe të tregohet se po punohet seriozisht. Në këtë rast e shoh policinë shumë të vakët për ta zbardhur ngjarjen.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe kushtet e vështira në të cilat, sipas tij, punojnë avokatët në Shqipëri, duke theksuar se sistemi i drejtësisë nuk po funksionon në standardet e një vendi që synon integrimin në Bashkimin Evropian.
Unë nuk do të tërhiqem nga asgjë dhe do të vazhdoj të punoj edhe më shumë. Jetojmë në një shtet që është marrë peng. Unë vetë i kam identifikuar, por ja kam lënë në dorë drejtësisë zbardhjen e çështjes.






















