Tymuese dhe zjarr në Kuvend, punonjësit e BKH-së ‘zbarkojnë’ të këqyrin nga afër sallën e seancave plenare

36
Sigal

Punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mbërritur në Kuvend për të këqyrur sallën parlamentare pas kaosi të krijuar nga deputetët e opozitës.

Gjatë seancës, e cila zgjati pothuajse 17 minuta, u hodhën tymuese dhe iu vu flaka fasoletave nga deputeti Flamur Noka.

Gjithashtu, ky i fundit tentoi t’i vendoste flakën karrigeve të vendosura grumbull në mes të sallës, por u ndalua nga Garda.

Pasi hodhi tymuese, Noka u përjashtua nga Kuvendi, por refuzoi të dilte deri në momentin e mbylljes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa salla u “pushtua” nga tymi shumëngjyrëshe.

Deputetët e opozitës u konfliktuan edhe me gardistët, teksa në derën e Kuvendit ligjvënëse iu kontrolluan edhe çantat, pasi nëpërmjet tyre kanë arritur të fusin tymueset në sallë.

Ata kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e seancave normale, derisa mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre për ngritjen e Komisioneve Parlamentare, si edhe respektimin e të drejtave të opozitës.

Kjo ka detyruar PS-në të zhvillojë seanca të shkurtra parlamentare dhe mbledhjet e Komisioneve t’i zhvillojë online.