Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës janë hedhur sot në protestë për të kundërshtuar transferimin e tregut rreth tre kilometra në periferi të qytetit, në lagjen numër 18.
Bashkia i ka njoftuar tregtarët për të liruar zonën, por ata kundërshtojnë vendimin duke hedhur dyshime se ky transferim në mes të verës është një manovër për t’u pushtuar territorin.
Në treg operojnë rreth 500 tregtarë, të cilët sot kanë kërkuar përgjigje zyrtare nga bashkia.
Ata kërkojnë që nëse është i domosdoshëm transferimi, të bëhet në gjashtë pika të qytetit dhe të shtyhet për në shtator kur është më freskët.
Bashkia zyrtarisht bën me dije se tregu do të rikonstruktohet dhe shpërngulja do të jetë provizore vetëm tre muaj sa zgjat rikonstruksioni.