Tregim Humoristik – Lëmi i Havasë, një nga mënyrat e shumta të përfitimit dhe zhvillimit të pronës në demokraci

939
Tregim Humoristik
Neki Haskoçela

Tre-katër breza më parë kohës që jetojmë sot, në një fshat të Labërisë sinoriar me fshatin tonë, rronte i ziu Shasho me gruan e tij Havanë. Jetonin me pak dhen dhe për bujqësi përdornin disa kopshte dhe një arë të vogël dhe me kaq navasnin jetesën e tyre. Mirëpo Shashua, kishte shumë fëmijë dhe vdiq shpejt sa që Havaja u thoshte shoqeve “vdiq shpejt ditëziu se po të kishte rrojtur dhe ca do t’i kishte bërë okë e kokë fëmijët me dhentë”. Me vdekjen e Shashos, filluan të shtohen vështirësitë për Havanë. Fëmijët duheshin rritur, toka duhej punuar dhe bagëtitë duheshin mbajtur, e kjo është ngarkesë për një grua me një tufë kalamaj.. Për t’i lehtësuar ndopak punët Havaja dhëntë i bëri dhi, meqenëse dhitë kërkojnë më pak punë. Megjithatë ajo i pakësoi shumë duke i shitur për të plotësuar nevojat e ngutshme të shtëpisë. Një ditë në vëllazërinë e tyre vdiq një plak i moçëm, xha Rahmeti. Adeti në Labëri e do që të shkosh në vaki dhe të qash me ligje të ndjerin dhe me sebepin e të ndjerit që ka vdekur, të qash dhe hallet e brengat e tua .Me këtë rast vajti dhe Havaja dhe ia nisi ligjërimit: 

“Korba o xha Rahmeti, që na vdiqe edhe ti 
– Bëni të fala ATIJ (Shashos që kishte gati një vit që kishte vdekur) korba o xha Rahmeti
Thuaj dhëntë i bëmë dhi, korba o xha Rahmeti 
Na kanë mbetur dhe dy, korba o xha Rahmeti 
– Qysh do na vejë halli s’e di – Korba o xha Rahmeti, Oi…”

përfundoi Havaja me ngashërim ligjërimin në vakinë e xha Rahmetit. Që të thuash të drejtën mallëngjeu dhe shoqet, jo vetëm nga fjalët e goditura që tha, por edhe nga zëri i saj melankolik, drithërues e tërheqës, shoqëruar me një mimikë të përshtatur që e bënin më simpatike nga sa ishte. Ta shikoje Havanë kur ligjëronte të shkaktonte një dhimbje deri në keqardhje dhe një respekt të thellë për të. Ndërkohë, vazhdonin peripecitë e Havasë për të rritur fëmijët. Ajo duhej t’i bënte të gjitha punët vetë edhe drutë për t’u ngrohur dhe gatuar. Ajo pothuajse shkonte për ditë për të siguruar drutë që i nevojiteshin. Megjithëse Shashua kishte vdekur, Havaja e mbante me kujdes veten. Shaminë e zezë që mbante si shenjë zie, si i thonë rrëzë më rrëzë, kishte filluar ta lironte ndopak e ta çonte deri në mes të kokës dhe që lejonte të dukeshin drullat e bukura të flokëve duke ia hijeshuar më tepër fytyrën dhe duke e bërë më tërheqëse. Një ditë nga ditët i doli përpara një burrë, i bëshëm mustaqe-verdhë syndritshëm zëkumbonjës duke i thënë “Hava, të kam pikasur kur më shkon me dru ngarkuar e dëshira më rritej e rritej për të të parë vazhdimisht deri sa plasi në dashuri të papërmbajtur dhe tani më vërviti lumtërisht këtu përpara teje dhe Perëndisë për të bërë atë që do ajo” dhe iu hodh tërë afsh, duke mos i dhënë Havasë asnjë mundësi për reagim… Pastaj Xhezua u largua, edhe Havaja ngarkoi drutë për të shkuar në shtëpi. Vendi ku ngarkonte drutë Havaja ishte një shesh i rrethuar me pyll të përzier me dushk, përrallë e hilqe, kundruall me fshatin. Rrugës ajo mendonte për çka i ndodhi dhe dallgët e urrejtjes për Xhezon herë ia zinin frymën, herë ia lironte atë. Duke ikur ajo po i peshonte mirë me derhem, kur i thonë, gjërat. Ta bënte çështje atë çka i ndodhi për ta lehtësuar veten ndopak apo ta mbyllte me heshtjen e saj dhe koha do të bënte punën e vet. Fjala e parë që kishte dëgjuar për gratë e veja ishte se -ato i ngarkojnë llafet me tërkuzë-. Pra dhe ajo mendonte: “Cila do që të jem unë, prapë se prapë llafeve nuk iu shpëtoj dot.” Por edhe shpesh përdorej shprehja “Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë”, pra, gruaja nuk dilte dot nga halli ose ishte vet halli edhe ana tjetër thuhej se, gratë janë sherri i mavies ose sherri vjen nga gratë. Pastaj mendonte: “Kjo që më ndodhi mua u ka ndodhur dhe shumë grave me burra më këmbë, bile dhe me goxha burra. Ato që e kanë kaluar në heshtje, e kanë kaluar më mirë se ato që kanë ndjekur sherrin që, jo rrallë kanë përfunduar me gjak. Pastaj, mendimi ishte se gratë e zonja zinin mik dhe burrat e zot zinin mike.” Kështu pa dashur iu kujtua ajo që i kishte thënë një ditë nënë Avazja për të motrën Kafazen. E kishte pyetur motra nënë Avazen kur ishin të reja, se ku i kishte gjetur tërë ato stoli. Ajo i ishte përgjigjur se, m’i ka blerë miku. Ajo i kishte thënë, bëmë dhe mua një mik. Ajo iu përgjigj se ti nuk e mban dot mikun. Por Kafazja këmbënguli, se e mbante mikun. Dhe kështu Avazja i gjeti një mik Kafazes. Takimin e parë Kafazja e la në shtëpinë e saj kur përcolli të shoqin me gomar për në mulli duke menduar se ishte koha e përshtatshme dhe e mjaftë, sa t’i vinte radha e sa të bluante grurin. Mirëpo Kafazja harroi që koha e qejfit kërkon të zgjatet, ndërsa koha e punës të shkurtohet dhe kjo bëri që burri ta gjente mikun e Kafazes brenda. Ajo tani si e shastisur bërtiste pa pushim tërë ankth dhe frikë “Më tha ime motër e madhja, më tha!” Meqenëse të dy motrat i kishim shtëpitë afër, atëherë, Zylyfi, burri i Kafazes erdhi tek unë dhe më thotë: 

– Eja moj e bekuar, çfarë i ke thënë sat motre që nuk ma hap derën?
Ua e hëngërt lia! – i thashë unë, i kam thënë që kur vjen burri nga mulliri të vijë tre herë rrotull shtëpisë me karroqe në kokë, se ka duk mielli,-përfundova e shqetësuar për time motër. 

-Po kjo është e kollajtë fare, tha Zylyfi dhe vuri karroqen në kokë për të bërë ritualin sipas porosisë. Ndërkohë miku doli dhe iku qetë-qetë në punën e tij. 
Mbasi Havaja e kaloi nëpër mënd tërë këtë histori, po tha me vete ajo: “Dhe kjo qenka një zotësi më vete. Pse të mos hyj pa zë dhe unë te gratë e zonja?! Pastaj që të jesh mikja e Xhezos, atij burri që i ka, jo vetëm shokët të rrallë, por ka dhe një grua të bukur, Xhananen që i thotë diellit, dil se dola, është mirë! Pastaj, thonë që miku të ndreq dhe nuk të lë të biesh në hall, pra ka një vlerë aq sa që ka ngelur në kohëra ‘më mirë një mik se sa një çiflik’”. 

Kështu pasi e torri gjerë e gjatë problemin Havaja, në fund vendosi ta shijojë sevdanë e Xhezos për sa kohë që ajo do të kishte shije. Tani Xhezua herë tërthorazi dhe herë ballazi e ndihmonte Havanë për t’ia lehtësuar rritjen e fëmijëve. Sebepi ishte për nevojat që ajo kishte. Në këtë mënyrë Xhezua shërbeu si një ilaç rigjenerimi fizik dhe shpirtëror për Havanë. Ajo tani sikur rinohej, zbukurohej dhe me kujdes, dhe plot dëshirë bënte hapin për ta takuar Xhezon. Por shpesh sevdaja e tyre kishte çarmatosur kujdesin për ta lënë atë në terrin e syve të botës. Kështu vazhdoi si pa ndodhur gjë për shumë kohë. Mirëpo Zyka, që ishte si të thuash një shakaxhi, e kishte pikasur këtë punë dhe thotë, si me sebep një ditë majë bregut ku rrinin zakonisht burrat dhe ishte kundruall vendit ku bënte drutë Havaja dhe që ajo për koincidencë po zbriste me drutë në atë moment:

– More burra, kam një mendim që sa më ra në tru tani që shoh Havanë duke zbritur me dru dhe do t’jua them, por dua që të mos ma bëni dy, që sheshin në qafë ku ngarkon drutë Havaja, ta quajmë “Lëmi i Havasë” se i ka ngrohur fëmijët me zjarr! -përfundoi ai duke ia shkelur si pa kuptuar syrin Fejzos. 

-Ashtu u bëftë (thanë burrat e majës së bregut) se shumë emra vendesh e kanë nga një sebep dhe kjo i takon asaj. Në kuptimin figurativ fjala “lëmë” përdorej për mirë kur je ne kulmin e bollëkut si: -Hani se jemi në lëmë ose kur bënte njeriu gjëra që nuk pëlqeheshin thuhej: E bëri lëmin! Dhe kështu për ata që s’e dinin e kuptonin se Havaja, atje e bënte lëmin me dru, kurse për ata që e dinin kuptohej, lëmi i Havasë me Xhezon. Dhe kështu nisi e mori rrugë përdorimi pa teklif në përditshmërinë e fshatit emri “Lëmi i Havasë “. Filluan të ndërrohen brezat dhe emri do të futej më thellë në memorien e fshatit. Në kohën e kooperativës në kuadrin e iniciativës “Tu qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore sa dhe fushat” , fshati e bëri tarraca deri në lartësinë e lëmit të Havasë, duke e bërë atë një pikë dominuese e piktoreske dhe prodhimi të bollshëm agrumesh në tërë atë masiv brinjësh përkundruall detit. Por me gjithë këto ndryshime që pësoi tërë ai masiv brinjësh nuk mundën t’ia zbehin emrin “Lëmit të Havasë”, përkundrazi u bë si një pikë referimi dhe e këndshme për të punuar sidomos gjatë verës për freskinë si vend që ishte karshi detit. Ndërkohë që Zequa dhe Bequa, djemtë e Havasë që kishin ngelur nga barku Havasë, ishin ndihmuar të iknin nga fshati pa u bërë kooperativa dhe ishin bërë specialistë të zotë në profesionet e tyre dhe kështu nuk patën fatin ta përjetonin, as lindjen dhe as vdekjen e kooperativës. Por kjo nuk i kishte penguar ata që të familjarizoheshin me emrin e “Lemi i Havasë” që kishte kohëra që ishte bërë simbol i sakrificave mbinjerëzore të nënës së tyre, për t’i mirërritur ata dhe për këtë ata kishin arsye të ishin krenarë. Të paktën kështu e dinin ata. Me ndryshimin e sistemit, Zequa dhe Bequa dolën nga qarkullimi si kuadro nomenklature duke u marrë me përshtatjen e tyre me kushte të reja, të cilat tani u dukeshin më të vështira se rritja e tyre bonjakë. Gjatë kohës së përshtatjes me demokracinë, u krijuan hapësira të reja për të drejtat, për pronat, për liritë, e plot gjëra të tjera të cilat vunë në punë mendjet për së mbari i për së prapthi nga do që ishin. Kështu plasën mënyra të shumta të pasurimit e të përfitimit në mënyrë abuzive të pronave nga të gjitha anët. Kjo gjendje turbulloi edhe mendjen e Zeqos dhe të Beqos që dhanë e dhanë dhe më në fund ja dolën. Sebep u bënë disa përfitime pronash nga disa të njohur të tyre me gjyq dhe me dëshmitarë. Një ditë nga ditët Zequa i thotë Beqos që në të gjithë këto hapësira që u krijuan edhe ne duhet ta gjejmë veten dhe kam menduar që përveç shtëpive dhe baçave që kemi tonat në fshat do të marrim edhe “Lëmin” lëmin e nënës,”Lëmi i Havasë” që e di gjithë fshati, bile gjithë krahina. Kjo na e lehtëson shumë punën e dëshmitarëve. Është e natyrshme që kërkon ca shpenzime për harta, për gjyq, hipotekë etj. që kuptohet do t’i përballojnë fëmija nga emigracioni. Gjyqtar do të marrim Fete Zizarin se e kemi edhe krahinor dhe është bërë mjeshtër në çështje civile, i kopsit mirë gjërat dhe ta jep vendimin në dorë. Kështu u tha dhe kështu u bë. Hartat u bënë sipas oreksit se nuk kishin kufitarë duke u legalizuar nga kryetari i fshatit. U morën certifikatat në gjendjen civile që vërtetonin lidhjen me pronarin, Havanë. U sigurua një hartë topografike ushtarake që përmbante emrin “Lëmi i Havasë” dhe të dhënat, kuotat dhe formën e relievit. Kjo kishte ndodhur kur ishte bërë azhornimi fotografive ajrore me terrenin dhe kur specialisti ushtarak kishte pyetur si quhet ky vend, një fshatar iu përgjigj “Lëmi i Havasë” kështu u përfshi emri në hartë që përbënte dhe të vetmen provë dokumentare me vlerë. Dëshmitarët ishin të shumtë. Gjyqi qe formal se vërtetohej katërcipërisht dhe me unanimitet se prona i përkiste Havasë … dhe që tani u takon djemve të saj Zeqo dhe Beqo … Fete Zizari e shpalli vendimin, i cili theksoi se kundër këtij vendimi mund të ankimohet brenda pesë ditësh. Pasi kaluan afatet e nevojshme Zequa dhe Bequ morën vendimin dhe vazhduan procedurat e mëtejshme duke e çuar në zyrën e regjistrimit duke marrë certifikatën e pronësisë dhe filluan ta zhvillojnë atë. Sot “Lëmi i Havasë” është një pikë turistike shumë e preferuar, falë hapësirave demokratike të fitimit të pronës. Sigurisht që po t’i tregojnë gjyqtarët rastet që kanë pajisur me certifikatë pronësie kundrejt ryshfetit ky do të ishte rasti më i bazuar ligjërisht. Shakaja, thotë populli, gjysma së vërtetës.