Arjan ZADRIMA
(Vijon nga numri kaluar)
Mjafton të hapësh dosjen e kompanisë koncesionare “Transatlantic”, që iu hoq e drejta e koncesionit para pak ditësh për borxhe ndaj shtetit shqiptar dhe mos zbatim detyrimesh teknologjike në shfrytëzimin e sektorëve të naftës, duke i anuluar kontratën e vazhdimit të aktivitetit në sektorin e naftës në Shqipëri dhe konstaton fakte që bien ndesh me ligjin e koncesion-privatizimeve. Sipas dosjes përkatëse, në vitin 2007, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje koncesioni, me të cilën i kaloi disa vendburime të rëndësishme nafte e gazi, një kompanie kanadeze me emrin “Stream Oil”. Marrëveshja përfshinte vendburimin e naftës në Cakran-Mollaj, atë të Ballsh-Hekalit, vendburimin Gorisht-Koculit dhe fushën e Delvinës. Por në vitin 2014, kompania “Stream Oil” u ble në masën 100%, nga një kompani amerikane e quajtur “Transatlantic Petroleum”. Kompania e re e cila zotërohet nga miliarderi amerikan Malon Mitchell, në fillim ishte entuziaste për investimet që deklaroi, se do të bënte në Shqipëri dhe që me premtimin e bujshëm për to, përlau edhe koncesionin në naftë, në katër zona vendburimesh të mëdha e potenciale hidrokarburesh! Mjafton të kujtosh deklaratën e bërë prej shefit të kësaj kompanie, pas marrjes së koncesionit: “Ne shohim potencial domethënës për rritje në Shqipëri dhe presim të rrisim vlerën e këtyre aseteve”. Por, pas disa kohësh, përmes një njoftimi “Transatlantic” deklaroi shitjen e të gjitha aseteve të saj në Shqipëri, te një kompani e panjohur me emrin “GBC Oil”. Sipas marrëveshjes, kompania e re “GBC Oil” ka marrë përsipër të paguajë 2.3 milionë euro borxhe te një bankë private dhe 29.2 milionë euro të tjera borxhe, që “Transatlantic” dhe më parë “Stream Oil”, kanë ndaj shtetit shqiptar dhe bankave. Transaksioni ka alarmuar autoritetet shqiptare. “Albpetrol” dhe “Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore” dyshojnë se, përmes tij po synohet shmangia e borxheve prej 13 milionë eurosh, që “Transatlantic” ka ndaj shtetit shqiptar. Shteti nisi para disa ditësh veprimet ndëshkuese, duke i bllokuar koncesionin. Sipas njoftimit, shitja tek “GBC Oil” është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka “Raiffeisen” dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarëve detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Por çfarë ndodh? As në njoftimin e shitjes dhe as në internet nuk u gjenden të dhëna për blerësin, kompninë fantazimë “GBC Oil Company”. Ndërkohë burime zyrtare nga kompania shtetërore e prodhimit të naftës “Albpetrol”, që menaxhon kontratën koncesionare me “Transatlantic Petroleum” pohuan se, ata nuk kanë informacion zyrtar për transaksionin dhe nuk kanë dijeni për blerësin. Burimet shtuan se, ata nuk e miratojnë transaksionin në rast se nuk plotësohen dy kushte, konkretisht këto:
– Kompania duhet të shlyejë borxhet. Aktualisht ajo ka detyrime ndaj “Albpetrol” në milionë dollarë. Pavarësisht se në kontratë blerësi merr përsipër të shlyejë detyrimet, burimet nga “Albpetrol” thanë se, nëse nuk nënshkruhet një plan pagesash, ka shumë mundësi që detyrimet të mos shlyhen, siç ka ndodhur dhe në të kaluarën me blerësit e mëparshëm, apo me azerët e “ARMO-s”.
– Blerësi duhet të jetë një kompani me eksperiencë.
Miratimi i transaksionit bëhet nga tre palë, Albpetrol, Ministria e Industrisë dhe AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve natyrore).
Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton, se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 milionë dollarë të lidhura me të, tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic. Kompania “Transatlantic Petroleum” hyri në tregun shqiptar në fund të vitit 2014, kur bleu Stream Oil, e cila shfrytëzonte 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, në bazë të një kontrate koncesionare 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje 5-vjeçare. Në nëntor të vitit të kaluar, Transatlantic Petroleum njoftoi, se kishte nxjerrë në shitje degën në Shqipëri. Për shkak të problemeve të mëdha financiare që ishin bashkudhëtare të aktivitetit të TransAtlantik në Shqipëri, që nga dita e parë e ardhjes së tyre, ata i kushtuan pak vëmendje faktit të përmirësimit të parametrave nxjerrës të vendburimeve që ajo dispononte në Marrëveshje. Kjo u reflektua dhe në uljen e kapacitetit nxjerrës. Volumet mujore të prodhimit të fushave, në momentin që kompania mëmë nxori në shitje asetet e saj në Shqipëri, mësohet se ranë ndjeshëm.



















