Tragjedia në Rrëshen, si u ekzekutuan vëlla e motër në oborr të shtëpisë

126

Dy persona, vëlla e motër u ekzekutuan mbrëmjen e së martës në Kodër Rrëshen të Mirditës. Esmeralda Filopati, 36 vjeçe dhe Vledison Filopati, 34 vjeç u qëlluan me breshëri automatiku në oborrin e shtëpisë së tyre. sipas policisë i dyshuari kryesor është Fatmir Koleci nga fshati Zejmen i Lezhës. Ai është ish-bashkëshorti i Esmeraldës, nënë e 3 fëmijëve.

Pas krimit autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por në ndjekje të tij janë vënë Forcat e Ndërhyrjes së SHpëjtë dhe RENEA. Koleci ishte ndarë nga bashkëshortja dhe i liruar nga burgu rreth 1 vit më parë.

Ai ishte denoncuar disa herë për dhune nga viktima. Në një njoftim të policisë në 13 korrik 2017 thuhet se “ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike, në mënyrë të përsëritur e në prezencë të fëmijëve, si dhe duke e kërcënuar me një armë zjarri, bashkëshorten e tij”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në atë kohë iu gjet një armë zjarri pushkë model 56 me 11 fishekë brenda në pushkë. Duket se autori nuk e ka falur bashkëshorten për divorcin dhe denoncimin në polici duke i dhënë edhe një herë kuptimin e parë formulës së ceremonisë së martesës “derisa vdekja të na ndajë”.