Sigal

Bllokimi i rrugës Vorë – Fushë Krujë, në të dyja korsitë ka krijuar kaos në lëvizjen e automjeteve, në aksin kryesor të rrjetit kombëtar rrugor që lidh veriun me jugun.

Të gjitha automjetet që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Fushë Krujës, duhet të kalojnë në rrugicat e fshatrave rrotull, ku mezi këmbehen dy makina. Një pjesë e tyre devijohen në rrugën e Bupqit, duke i shtuar udhëtimit të tyre dhjetëra kilometra. Por ky devijim ka shkaktuar konfuzion te drejtuesit e automjeteve, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka bërë asnjë njoftim paraprak dhe është mjaftuar vetëm me vendosjen e disa tabelave.

“Po ku të kaloj, nuk di, jam për Fushë Krujë”, shprehet një qytetar.

Pjese e kaosit janë edhe turistë të huaj, të cilët sapo lënë aeroportin, nuk dinë nga të orientohen.

“Ndaluam këtu dhe nuk dinim nga të shkonim. U kthyem dhe pyetëm disa punëtorë të rrugës. Jemi për Durrës po nuk kemi ide se nga të shkojmë”, rrëfen një prej tyre.

Ky është një nga segmentet që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zgjedhur për mijëra drejtues automjetesh që duan të kalojnë nga Tirana në drejtim të Rinasit për të udhëtuar në drejtim të veriut. Po kjo rrugë duket qartë që është e paasfaltuar, me gropa dhe pluhur, e improvizuar për kalimin e banorëve dhe nuk ka asnjë standard për të përballuar fluksin e një aksi kombëtar.

Autoriteti Rrugor jo vetëm e ka mbyllur tërësisht rrugën Vorë-Fushë Krujë, jo vetëm nuk ka vënë në dijeni paraprakisht qytetarët me të gjitha mjetet e informimit, por nuk ka vendosur as tabelat e duhura për të orientuar drejtuesit e mjeteve.

Devijimi i qarkullimit në rrugë fshati, me gropa e pluhur, është një tallje e pastër me mijëra qytetarë, të cilët, flasin të revoltuar para kamerave.

Interesit të këtyre qytetarëve përmes Televizionit Klan për mbylljen e plotë të rrugës, Autoriteti Rrugor Shqiptar iu përgjigj duke thënë se ka bërë njoftimin e nevojshëm dhe se për drejtuesit e mjeteve ka rrugë alternative.