Totozani: Mbrojtja e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri

1119
Ekzistenca e minoriteteve në Shqipëri, paraqet një realitet historik dhe aktual, i cili me vendosjen dhe aplikimin e demokracisë liberale në vend, ka shfaqur një dimensioni të ri të trajtimit të minoriteteve, fakt që duket qartë në angazhimet që shteti shqiptar ka ndërmarrë për këtë qëllim. Efektivisht sot, shoqëria shqiptare ka vendosur një balancë pozitive përsa i përket çështjes dhe respektimit të të drejtave të pakicave, duke u renditur ndër shtetet, të cilat janë angazhuar në përmbushje të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë
Megjithatë, proçesi i Integrimit Europian të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë, marrja e statusit kandidat përveç të tjerave në Prioritetin 5, të BE- së, kërkon që të bëhen hapa konkretë në forcimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat e minoriteteve. 
Aktualisht, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka sanksionuar parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, lirinë e shprehjes, pa u ndaluar dhe as detyruar, për përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore, si dhe të drejtën për të ruajtur dhe zhvilluar traditat, gjuhën dhe zakonet. Kushtetuta iu ka njohur edhe të drejtën të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre. Edhe anëtarësimi i Shqipërisë në një sërë organizatash dhe organizmash ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe ratifikimi, apo nënshkrimi i një numri të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare për afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në referencë të minoriteteve, ratifikimi pa asnjë rezervë i Konventës Kuadër “Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”, flasin për një angazhim serioz institucional.
Ngritja e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve 
Një hap i rëndësishëm institucional mund të vlerësohet ngritja e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, si institucion qëndror me natyrë konsultative, në varësi të Kryeministrit. Aktualisht në vendin tonë njihen zyrtarisht, minoritetet etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoritetet etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti Vllah dhe minoriteti Rom. Duke u ndalur veçanërisht tek minoriteti Rom, mund të them se pavarësisht parashikimeve ligjore në fuqi, ka shumë për të bërë, për të garantuar në praktikë, respektimin e të drejtave, integrimin dhe përfshirjen sociale të këtij minoriteti. Romët sot janë një grup vulnerabël dhe në risk, gjë që është pasqyruar dhe theksuar shpesh në rekomandimet tona. Institucioni që unë drejtoj, prej kohësh ka trajtuar problematikat e këtij minoriteti dhe në fakt, pyetja bazë që shtrohet sot është nëse realisht Romët janë të përfshirë në sistemin tonë social? Dhe kur flas për këtë sistem kam parasysh, strehimin, regjistrimin në gjendjen civile, përfitimin e ndihmës ekonomike, apo edhe arsimimin, si problemet më kyçe, pa përjashtuar këtu punësimin, formimin profesional, kujdesin shëndetësor dhe çdo beneficë që ky sistem, ua siguron qytetarëve të vet. Sistemi ynë social i pranon formalisht këta individë, por faktikisht i përjashton ata duke u kthyer në një “kështjellë të pakalueshme burokratike” dhe sinonim të një refuzimi të pashpallur social. Barazia formale ekziston për pjesëtarët e këtij minoriteti, por ajo nuk është kthyer në një barazi reale thelbësore për këtë minoritet. Megjithëse, kuadri ligjor në fuqi në vend konsideron specifikisht të rëndësishme problematikën që lidhet me jetesën në tërësi të minoritetit Rom, duke formuluar dhe miratuar një strategji, si dhe përgjegjësi konkrete për ndërmarrjen e masave pozitive për ndryshimin e kësaj situate, përsëri gjendja mbetet problematike. Këto problematika të minoritetit Rom, janë bërë prezente në një raport të veçantë që Avokati i Popullit i ka dërguar Kuvendit, në vitin 2013.
Minoritet e tjera në Shqipëri
Sa i takon minoriteteve të tjera, mbetet ende një proces në zhvillim, përmirësimi i standardeve të respektimit të të drejtave individuale dhe kolektive të pjestarëve të minoriteteve, qoftë në përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit që garanton të drejtat, qoftë në marrjen e masave pozitive nga ana e shtetit për realizimin e tyre. Pas një aktiviteti disa vjeçar, Avokati i Popullit përgatiti dhe dërgoi në Kuvend në vitin 2014, një raport për të drejtat e minoriteteve, bazuar në parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës, “Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”. Përmirësimi dhe pasurimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e minoriteteve mbetet një nga çështjet kryesore, pasi vërehen mangësi. Në këtë aspekt është i nevojshëm miratimi i një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës së sipërcituar. Nevojitet gjithashtu përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, me fokus disa përmirësime në nenin 1, të Ligjit nr.10221, datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duke përfshirë në këtë nen si shkaqe për diskriminim; kombësinë; qëllimin e shpallur për të diskriminuar; nxitjen për diskriminim dhe ndihmesën dhe inkurajimin e diskriminimit. Po kështu është i nevojshëm, fillimi dhe përfundimi i procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare. Pavarësisht proceseve të regjistrimit të popullsisë të ndërmarra nga ana e shtetit, (përfshirë këtu censusin e vitit 2011), gjendemi para debatit dhe faktit të mospranimit të të dhënave të përftuara nga ana e vet minoriteteve. Në këto kushte, nevojitet realizimi i një procesi të regjistrimit të popullsisë (censusi), të pakontestuar dhe të gjithëpranuar edhe nga minoritetet dhe komunitetet e tjera, i cili do të jepte shifrat reale të popullsisë minoritare, apo edhe të komuniteteve të tjera.

Vizioni i Avokatit të Popullit
Vizioni i Avokatit të Popullit bazohet në frymën shumë të mirë ekzistuese të bashkëjetesës ndërmjet popullsisë mazhoritare, me atë minoritare dhe konsideron se, minoritetet në Shqipëri janë një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit. Të drejtat e njeriut janë universale dhe zbatohen për të gjithë individët, dhe çdo vend duhet të garantojë dinjitet të barabartë për të gjithë qëniet njerëzore pa diskriminim për shkak seksi, race, ngjyre, feje, origjine kombëtare ose sociale. Edhe komuniteti LGBTI në Shqipëri, duhet të gëzojë të drejta e liri të barabarta me të gjithë pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Për këtë qëllim nevojiten masa specifike për të siguruar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut për këtë kategori personash. Paaftësia për të trajtuar çështjet e orientimit seksual ose identitetit gjinor, mund të ketë pasoja të dëmshme për këtë kategori të shoqërisë, ndaj edhe shteti së pari, duhet ta trajtojë këtë çështje në mënyrë të respektueshme, duke ofruar të gjitha kushtet për hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në këtë kuadër, Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se legjislacioni shqiptar duhet të përqaset me standardet më të mira ndërkombëtare, për të garantuar zbatimin e parimeve demokratike të shtetit të së drejtës, arritjen e barazisë midis shtetasve dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Rekomanimet e Avokatit të Popullit
Në përmbushje të detyrimeve tona kushtetuese dhe ligjore, janë prezantuar tematika të rëndësishme të të drejtave të këtij komuniteti, përmes Raportit të Veçantë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë (viti 2012), apo Rekomandimeve specifike dërguar institucioneve shtetërore. Konkretisht:
– Avokati i Popullit i ka dërguar nje rekomandim Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për plotësimin e nenit 9, të Ligjit 7961/1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ku propozohet përfshirja në pikën 2, të këtij neni, si shkaqe për diskriminim edhe “orientimi seksual dhe identiteti gjinor”. Po kështu, është kërkuar edhe përcaktimi se, mbi cilën palë bie barra e provës, për rastet kur pretendohet se ka patur diskriminim mbi personin. Rekomandimi është ende në proces shqyrtimi në Kuvend. 
– Avokati i Popullit, i ka dërguar rekomandim Ministrit të Drejtësisë, ku ka propozuar që në nenin 50, të Kodit Penal, të shtohet si rrethanë rënduese kryerja e veprës, e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me orientimin seksual. Ky rekomandim është zbatuar tashmë.
– Në zbatim të Konventës Evropiane Për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, si dhe të Rekomandimit 2010, të Komitetit të Ministrave, të Këshillit të Evropës, ku nënvizohet fakti se, lëndët mësimore nuk duhet të përmbajnë tekste të njëanshme, diskriminuese dhe denigruese ndaj komunitetit LGBTI ; Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBTI, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt pa dhunë, fyerje, përjashtim social apo trajtim ç’njerëzor lidhur me orientimin seksual ose me identitetin gjinor si dhe trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi, duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore për shkak të përkatësisë së tyre seksuale. Ky rekomandimi është zbatuar. Problemet e minoriteteve sot në Shqipëri, nuk janë thjesht probleme të tyre, por probleme të vetë shoqërisë shqiptare, ndaj zgjidhja e tyre është në të mirë të gjithë shoqërisë.
Sigal