Tomorr Musai: Kur meritokracia rrezikohet dhe institucionet përplasen, një sinjal alarmi për shtetin e së drejtës

Çdo palë e interesuar mund ta verifikojë, pa ndërmjetës dhe pa interpretim, drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, nivelin e përgatitjes, seriozitetin dhe koherencën e profilit dhe vizionit të paraqitur nga znj. Liljana Mamadhaj gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Dëgjesa ishte publike. Argumentet janë të regjistruara. Vizioni ishte i qartë, i strukturuar dhe i mbështetur në eksperiencë reale institucionale. Një vizion që nuk ofronte retorikë të rehatshme, por kërkonte pavarësi reale, transparencë dhe mbikëqyrje efektive në një nga institucionet më të rëndësishme të vendit.
Si eksperte financiare pranë SPAK, znj. Mamadhaj paraqiti një qasje që buron nga përballja e përditshme me financat e paligjshme, me mungesën e kontrollit dhe me pasojat konkrete të kapjes institucionale. Ishte një profil që nuk flet për stabilitet financiar si slogan, por si detyrim publik.
Znj. Mamadhaj është vajza e dy prindërve të thjeshtë, tashmë të ndjerë. Nuk vjen nga elitat politike, nuk përfaqëson interesa, nuk ofron garanci komoditeti. Vjen vetëm me arsim, punë dhe integritet profesional. Dhe pikërisht për këtë arsye, profile të tilla shpesh nuk janë të rehatshme për një sistem që preferon institucione të parashikueshme, jo të pavarura.
Nëse, pas këtij procesi, një kandidat me meritë, integritet dhe vizion të qartë nuk do të reflektohej realisht në vendimmarrje, atëherë pyetja që lind nuk është personale, por politike dhe institucionale: a po ndërtohen institucionet mbi meritën, apo mbi besnikërinë?
Kjo pyetje bëhet edhe më e ndjeshme në klimën aktuale të tensioneve mes SPAK dhe Kuvendit, ku çështje që lidhen me mandate, kompetenca dhe kufij pushteti kanë treguar se pavarësia institucionale mbetet e pranueshme vetëm për aq kohë sa nuk sfidon status quo-në.
Në këtë kontekst, emërimet në institucione të pavarura nuk janë teknikalitete. Janë akte politike. Dhe mënyra se si trajtohen kandidatët që vijnë nga struktura të pavarura të drejtësisë është një tregues i qartë se sa e mirëpritur është realisht ndarja e pushteteve.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka nevojë për anëtarë që nuk tremben nga transparenca dhe që nuk e shohin mbikëqyrjen si formalitet. Nëse një kandidat me integritet, meritë dhe vizion të qartë nuk do të marrë vendin që i takon, humbja nuk është individuale. Është institucionale.
Sepse kur integriteti dhe meritokracia shihet si rrezik, problemi nuk është kandidati.
Problemi është sistemi.
Sigal