Tiranë, hakerat vjedhin 215 mijë euro nga kompania farmaceutike

291
Një kompani farmaceutike në Tiranë ka rënë pre e një mashtrimi të pazakontë nga hakerat. Kompania emri i së cilës nuk bëhet e ditur është mashtruar nga hakerat bullgarë të cilët kanë mundur që nëpërmjet neglizhencës së financieres të përvetësojnë një shumë prej 215 mijë euro. Kallëzimi penal u krye në Policinë e Shtetit nga vetë financierja, e cila kreu edhe transfertën e parave, ndërkohë që hetime janë ndërrmarrë edhe nga Interpoli. Sipas të dhënave të para ka qenë një email i ardhur në zyrën e financës, i cili i bënte me dije financieres L.T, në lidhje me një pagesë që kompania farmaceutike duhet të hidhte në një llogari bankare në Sofie të Bullgarisë. Pagesa është kryer nëpërmjet një transaksioni online në llogaritë bankare të kompanisë në drejtim të një banke në Bullgari. Por shumë shpejt mashtrimi është kuptuar, pasi firma ka verifikuar se nuk kishte asnjë borxh apo porosi nga ndonjë grosist në Bullgari.