Thoma Goga: Kryetarka e nisi me 20 qindarka, dhe e mbylli me 20 mln $

120
Sigal

Kryetarka milionere me 20 qindarka…?!

– Ata që vjedhin, dinë edhe të fshehin.

-Disa krietar bashkish kanë investuar 20 lekë dhe kanë fituar 20 milion dollar.

Dy skica satirike: Thoma Goga

Miku im Selim sot erdhi me gëzim për kafenë e mëngjesit. Si gjithmonë, në dorë mbante një nga gazetat e përditshme. Dalim shpejt në atë orë se kafeja është me ofertë; më pak 20 lekë. Po kaloi ora, ta futi kamariere Dhora.

– Jam shkrirë fare, ha,ha,ha,- tha. – Sapo lexova që një kryetar bashkie e paska rrogën më të vogël se në kohën kur bënte ha,ha,ha në skenë.

– Epo sakrifikoi për të mirën e popullit…,- ia prita unë.

– Lëre mo, se nuk i ha njeri këto. Kanë dalë marifetçinj, që gënjejnë sikur janë në “thiatro”. Ja, e beson ti që një tjetër kryetar bashkie, shkoi në shkollë jashtë shtetit me lekët që shiste banane “boba” i tij? Madje, madje i tepruan ca e bleu një Mercedes 2021…E kush i ha këto “glasa”?! T’ia futësh vetes “baam”.

– Kanë qënë “banane të arta”, – hodha unë një “shashkë”.- Ose kanë fat.

– Rri o Çome, për kokën tënde, mos u tall! Nuk kanë fat, po kanë “shat”. Është ajo “vegla”që heq nga vetja…Të thom dhe një çudi të fundit?! Mos e beso po deshe.

– Pa hë, ta dëgjojmë,- thashë unë.

– E ke dëgjuar se, kur fëmijët bëhen 1 vjeç, u çojnë përpara një tepsi me ca pajisje?

– Po është në traditën popullore. Në tepsi vendosin laps, fletore, gjilpërë, punë dore, gërshërë…”Parashikohet” zanati dhe fati nga objekti që do zërë.

– Hë, më rrofsh,- ja bëri Selimi dhe filloi rrëfimin. – Një vogëlushe andej nga anët tona zgjodhi nga tepsia 20 qindarka dhe e gëlltiti. U lemerisën ata të shtëpisë dhe e ruajtën kur bëri “kakalicen”. Ia nxorrën, e morën dhe ja varën monedhën si dekoratë. U rrit vogëlushja topolake tok me monedhën si dekoratë. Po na doli dhe e zgjuar. “Perri”, të thom. Ja prishi mendjen edhe  “nënës parti” dhe u bë kryetare bashkie. Gojët e liga thonë e ç’nuk thonë.

– Lëri gojët e liga, për kokën tënde. Njerëzit atë punë kanë, – kundërshtova unë.

– Jo, jo. Është e vërtetë. Na doli e zgjuar kryetarka. U bë milionere vetëm se investoi ato 20 qindarka…Po këtë “përrallë” e hëngrën ca e ca.

– Mos more!, – thashë unë dhe u ngrita të iki me vrap.

– Dale Çome, ku shkon?

– Do ther një rosak. Gëlltiti sot në mëngjes 20 lekë. Ta marr e të investoj. Mbase bëhem dhe unë milioner…

– Edhe ti i ha këto “përralla”, – ma ktheu miku im Selim.- Rri o budalla e pi kafenë, se e kemi me ofertë. I thonë më pak 20 qindarka…

                                        *   *   *

Një lutje për politikanët:

– Merrni shembull nga qentë!…-

-Qentë zihen dhe në fund përqafohen, politikanët të shajnë deri brezin e 7 tërë jetën

 

Ndhodhi të dielën që shkoi. Si çdo të diel, dal për pazar. Dhe kur s’kam ç’të blej, dal për të parë. Aty takojmë dhe ndonjë shok. Pastaj shkova në kishë si besimtar. Te diga e liqenit mizëri me njerëz. Të mëdhenj e të vegjël. Nuk mungojnë edhe qentë. Njëri më i bukur se tjetri. Zonja e zotërinj që i mbajnë, i nxjerrin për shëtitje. Mizëri e përzier me njerëzi e qenëri. Përpara meje një skenë dyluftimi. Dy qen; një i vogël dhe një i madh, filluan të kacafyten. Lufta midis të pabarabartëve bëhet interesante. Ç’iu desh këtij këlyshit të vogël të merrej me një langua?! Po luftës nuk i dihet fundi. Jo gjithmonë fiton më i madhi. Të voglit i erdhi në ndihmë dhe një këlysh tjetër. Mbase “negocioi” për paqe se, çuditërish, lufta pushoi shpejt. Qeni i madh u tërhoq. Në çast m’u kujtua thënia e një bashkëqytetarit tim: “Dy qenë e hanë një qen…”. Pastaj të tre qentë filluan “të llafoseshin”, të fërkoheshin, të lëpiheshin, të zgërdhiheshin…Tamam sikur ishin miq të vjetër, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Siç duket e gjetën gjuhën. Nejse, punë qenësh…

Vazhdova rrugën për atje ku isha nisur. Nuk më shqitej nga mendja skena me qentë. Hyra në kishë. Ndeza ca qirinj për njerëzit e mi të dashur. Bëra lutjen që duhet. Vetëtimthi mora një vendim. Ndeza edhe një qiri për politikanët e vendit tim. Dhe u luta:

– O Zot, ndihmoji politikanët tanë të marrin shembull nga qentë!…