Theu arrestin shtëpiak dhe qarkullonte me armë zjarri në rrugë, kapet nga policia 41-vjeçari

106
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë duke qarkulluar me armë zjarri dhe municion luftarak me vete një 41-vjeçar që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Procedohen penalisht tre shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi, teksa janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën “Jordan Misja”, qarkullonte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Escaper”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– P. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, B. H., 51 vjeç dhe L. M., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. S., shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 i gjetën dhe i sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi P. S. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Shtetasit B. D., B. H. dhe L. M. kanë patur dijeni për krimin, por nuk kanë kallëzuar në Polici”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.