Tërmeti/ KLGJ del me deklaratën e jashtëzakonshme, pezullon punën e gjykatave në këto qytete

615
Sigal

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të pezullojë punën e Gjykatave në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, qytetet më të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

KLGj njofton se puna do të pezullohet deri sa autoritetet kompetente të konfirmojnë përshtatshmërinë e godinave respektive ndërsa nga efektet e këtij pezullimi përjashtohet veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri.

Vendim Nr.267 datë 2.12.2019

PËR PEZULLIMIN E VEPRIMTARISË DHE SHËRBIMEVE GJYQËSORE NË GJYKATAT E QARQEVE DURRËS, TIRANË DHE LEZHË

Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të ligjit nr.115/2019 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, të ndryshuar,

VENDOSI :

Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26.11.2019.

Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri.

Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës.

Kryetarët e gjykatave ngarkohen të marrin të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë me publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR