Tentuan të kalonin emigrantë në kufi, arrestohen pesë persona, një tjetër shpallet në kërkim

427
Sigal

Në 24 orët e fundit, DVP Korçë dhe Policia Kufitare kanë parandaluar dhe goditur tre raste të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Njoftohet se gjatë operacionit policor të koduar “Perimetri” janë vënë në pranga 5 persona, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Po ashtu, gjatë operacionit janë bllokuar 17 shtetas nga vende të treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek dhe po transportoheshin kundrejt fitimit në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së.

Rasti i parë është evdientuar dhe goditur në Devoll, ku shërbimet e policisë vunë në pranga 40-vjeçarin E. K., banues në Tiranë dhe R. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Përparimaj, Devoll, si edhe u shpall në kërkim I. T., 28 vjeç, banues në fshatin Vishoticë, Devoll.

Rezulton se tre personat e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, i kishin premtuar kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në drejtim të Greqisë kundrejt shpërblimit prej 300 euro, një 32-vjeçari, i cili u kap nga shërbimet e policisë kufitare dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Rasti i dytë është evidentuar dhe goditur në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, ku shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga E. T., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi tek vendi i quajtur “Enkelana” në Pogradec, ai  u kap nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, duke transportuar me mjetin tip furgon 13 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Ndërsa gjatë orëve të natës në Maliq, janë kapur dhe arrestuar në flagrancë për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”  E.L., 30 vjeç, banues në Rrëshen dhe K.K., 20 vjeç, banues në Fushë- Krujë, pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjet katër palestinezë, kundrejt fitimit.

Po gjatë javës së fundit, është goditur edhe një tjetër rast ku në Pogradec është vënë në prangaI. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap duke transportuar 11 shtetas nga vendet e treta.