Tender i dyshimtë/ Skualifikohen të gjitha kompanitë, CFO Pharma merr 30 mln pa garë

124
Sigal

Në çdo garë, podiumi i nderit u takon tre të parëve. Por, në realitetin shqiptar, sidomos në atë të tenderave publike me dhjetra milionë lekë të qytetarëve, ndodh shpesh që i katërti në radhë të dalë fitues, duke thyer çdo logjikë të funksinoimit të gjërave. Diçka e tillë ka ndodhur me një tender të zhvilluar së fundi nga Njësia e Kujdesit Shëndetësor, në Shkodër.

Në një tender me vlerë 30 milionë lekë (të vjetra) për blerje Materialesh Stomatologjike, institucioni ka eleminuar nga konkurenca tre operatorët ekonomikë që kanë dhënë ofertën më të ulët dhe ka shpallur fitues shoqërinë ‘CFO Pharma”, e cila ka ofruar një shumë thuajse sa fondi limit. Tenderi i dyshimtë është shpallur nga struktura shëndetësore e kryeqendrës së Veriut në fillim të muajit gusht 2022. Objekti i këtij tenderi ishte furnizimi me pajisje stomatologjike, me fond limit 30 milionë lekë të vjetra. Në garë kanë marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë. Sipas dokumentave të konsultuar nga “Boldneës., rezulton se tre prej kompanive kanë paraqitur oferta që variojnë 27.9 milionë lekë deri në 29.84 milionë lekë të vjetra. Njësia e Kujdesit Shëndetësor të Shkodrës i ka skualifikuar këto tre kompani, me argumentin se nuk plotësonin kriteret e parashikuara në tender. Në përfundim, institucioni shëndetësor ka shpallur fitues shoqërinë “CFO Pharma”. Oferta e kompanisë së drejtuar nga Nadir Çausholi ishte saktësisht 29.89 milionë lekë të vjetra. Diferenca me fondin limit ishte vetëm 1.1 milionë lekë të vjetra. Ky rezultat përfshihet në rastet tipike të atyre që ekspertët e prokurorimeve i konsiderojnë me “flamuj të kuq”.

Tenderat e dyshimtë dallohen nga së paku dy detaje; 1) përjashtimi nga gara i operatorëve ekonomikë me ofertë më të ulët dhe nxjerrja fitues i garuesit me ofertë më të lartë, dhe 2) oferta fituese është thuajse e njëjtë me fondin limit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor.