Tendencë në rritje e krimeve kompjuterike, preken dhe fëmijët

255
Sigal

Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme mbi tendencën në rritje të veprave penale, krimi kibernetik ka shënuar rritjen më të madhe me mbi 35% krahasuar me veprat e tjera. Përgjithësisht ata që kryejnë këto krime janë djem e vajza me arsim të lartë e me njohuri të larta kompjuterike. Në rritjen e krimeve kibernetike përgjatë vitit 2020 rezulton se ka ndikuar edhe pandemia.

Sipas të dhënave të Interpol, Covid-19 është përdorur gjerësisht në zhvillimin e programeve malinje, kjo për shkak se kërkimi më i madh nga ana e qytetarëve ka të bëjë me pandeminë. Paralelisht janë shtuar vjedhja e të dhënave personale, si dhe mashtrimet nëpërmjet blerjeve online.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, mesatarisht në 10 mijë banorë nga krimet kibernetike preken 6 persona, ndërsa shqetësues mbetet fakti se ka filluar të prekë dhe fëmijët nëpërmjet lojërave të rrezikshme online. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, krahas krimeve kibernetike, rritje kanë pësuar dhe krimet kundër jetës, ato kundër mjedisit, si dhe pastrimi i parave.