Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, shpallin më 23 shtator grevë urie

652
Ilir Vata

Të burgosurit politikë të grevës së “Urisë, shtator 2012” rikthehen pas pesë vitesh në një grevë urie pikërisht në të njëjtën datë kur nisën grevën pesë vite më parë ku u vetëdogjën disa persona dhe humbi jetën, Lirak Bejko. Greva e urisë së 23 shtatorit është një grevë ballafaqimi me qeverisjen në katër vite qeverisje, për premtimet e qeverisë dhe realizimet si dhe një grevë dialogu rishtas me qeverinë për katër vitet e ardhshme të qeverisjes aktuale. Aktualisht të burgosurit politikë që janë gjallë kanë arritur të marrin tetë këste në masën 50% të të burgosurve politikë ose gjashtë këste në katër vite qeverisje, por shumica e premtimeve nuk është mbajtur.

Problemet e pa zgjidhura dhe kërkesat e të burgosurve dhe trashëgimtarëve të të përndjekurve politikë?
1. Janë 3000 dosje të patrajtuara deri më sot nga këto 600 dosje janë të të burgosurve politikë që ende nuk kanë marrë asnjë lekë nga dëmshpërblimi dhe pjesa tjetër janë ata që kanë bërë internim në tel me gjemba dhe katër vite qeverisje kanë qenë të mjaftueshme që të paktën 600 dosjet e të burgosurve politikë të ishin trajtuar për t’ju bërë të mundur dëmshpërblimin.

2. Statusi i të përndjekurve politikë është një tjetër pikë e pazgjidhur, pasi statusi aktual i të burgosurve është një letër në kuptimin formal sepse nuk ka asnjë vlerë reale, efektive dhe juridike ku mund të përfitojnë të përndjekurit.

3. Pensionet për të përndjekurit politikë dhe të burgosurit është një çështje e pazgjidhur dhe veçanërisht pensionet e minierës pasi të burgosurit politikë kanë punuar me punë të detyruar në minierë sa dhe punëtorët e lirë dhe nuk përfitojnë pension, madje skema e llogaritjes së ditëve të punës duhet të njësohet me atë të mbajtjes në burg në mënyrë të padrejtë apo shpalljes së pafajësisë, pra me një ditë e gjysmë dhe secili qe ka bërë 5 vite në minierë të përfitojë pension të pjesshëm dhe secili që ka bërë 7 vite punë të detyruar në minierë në kohen e burgut të përfitojë pension të plotë miniere.

4. Strehimi është një premtim i pa mbajtur sepse ende janë qindra të burgosur që u liruan nga burgu dhe nuk gjetën shtëpi dhe ende janë pastre, madje janë qindra familje që banojnë në kampet e internimit madje dhe në barakat e diktaturës dhe ky është një ndëshkim i dytë që u bëhet të përndjekurve dhe qeveria dhe kryesisht qeverisja vendor siç u premtua në Tiranë nuk ka shënuar një rast të vetëm të strehimit të të burgosurve politikë.

5. Punësimi është një tjetër premtim i pa mbajtur pasi të përndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e të burgosurve dhe të ekzekutuarve të diktaturës janë në 99% të papunë sepse në të gjitha reformat administrative ata nuk janë përfshirë si kontingjent pune por si të braktisur si në diktaturë kur përndiqeshin nga regjimi dhe aktualisht në katër vite qeverisje nuk ka asnjë të përndjekur të punësuar.

6. Bursat për të përndjekurit janë hequr, madje dhe lehtësirat për pagesat në universitete janë ngushtuar duke futu vetëm fëmijët e atyre që kanë bërë burg dhe ky është një veprim politik dhe anti-social qëllimkeq që të përndjekurit të mos kenë mundësi të shkollohen pasi gjendja sociale e të përndjekurve është nga më të varfrat në Shqipëri.

7. Varret e pagjetura-Nuk është bërë asgjë për 7200 të të ekzekutuarve nga regjimi komunist, vrarë në mënyrë tinëzare, natën dhe në fshehtësi të plotë dhe ende sot pas 27 vitesh të rënies së regjimit komunist këta martirë të lirisë nuk kanë një vend ku të prehen, një vend ku mund të respektohen apo të afërmit të hedhin lule, apo të nisin kujën e lenë në mes që ditën kur u vranë.

8. Asgjë për muzeun kombëtar të memories dhe shpalljen e zonave muzeale, ndonëse u premtua në Tiranë nga kryebashkiaku që piramida e diktatorit do të bëhej muze kombëtarë dhe asgjë për shpalljen e zonave muzeale të burgjeve dhe kampeve të internimit.

9. Qendra post-traumë -Nuk bëhet fjalë për qendra post-traume për ata që janë me status AI, apo të burgosurit dhe të internuarit që janë me simptoma traumatike të trajtohen si njerëz duke lehtësuar në kurimin e tyre mendor e psikologjik, ashtu siç edhe i kanë vendet e tjera evropiane ish-komuniste.

10. Institutet e të Përndjekurve- Një tjetër propozim i pa marrë parasysh është bashkimi i instituteve të të përndjekurve në një institucion shërbesë për të përndjekurit dhe jo në një institucion që shpenzon parat e publikut pa kurrfarë impakti për shtresat e të përndjekurve politikë. Pra, institutet e të përndjekurve janë një model i vjetruar që ngjajnë me Institutin Marksist-Leninist në kohë të diktaturës komuniste dhe jo me institute që respektojnë vuajtjen si vlerë për të ndërtuar të ardhmen evropiane.

11. Mungesa e transparencës me të shkuarën diktatoriale e ka bërë Shqipërinë të anojë nga e shkuara dhe ende vazhdon në përpëlitjen e saj për t’u shkëputur, ndonëse forcat e vjetra të konsideruara, forca të së keqes tërheqin prapa, pikërisht nga politika e vjetër, ajo që lamë pas. Institucionet e kujtesës të ashtuquajtura integruese janë inekzistente, thjesht ata shërbejnë për të gënjyer opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar, se qeveritë kanë përgjegjësi për transparencën me të shkuarën diktatoriale dhe integrimin e të përndjekurve politikë dhe fakti se të burgosurit hyjnë në grevë urie dëshmon se këta institucione janë farsë politike.

12. Dekuministizimi- Kërkojmë heqjen e titullit hero kombëtarë diktatorit Hoxha bashkë me 2300 persekutorët, eksponentë të regjimit komunist të dekoruar së fundmi. Të futet në ligjin e dekriminalizimit, përjashtimi nga politika, administrate dhe sistemi i drejtësisë i të gjithë atyre që kanë hetuar, torturuar, dëbuar, internuar dhe shënuar krime në kohë të regjimit komunist, pasi kodi penal nuk i parashtron krimet kundër njerëzimit dhe shteti nuk duhet të përdor dy standarde për ligjin e dekriminalizimit, pasi përjashtohet një që ka bërë një vepër të vogël penale dhe mbahet në administratë ai që ka ekzekutuar njerëz mbase me qindra.

Komisioni i Grevës se urisë 23 shtator-Të burgosurit politikë, pjesëmarrës të grevës së urisë, tetor 2012, Guxim Kullolli-Agron Talo-Agim Kollçaku
Sigal