Të strehuarit në tenda i kërkojnë shtretër, Presidenti Meta reagon me shpejtësi: Nderim 28 Nëntorit, duke shëruar plagët

521
Sigal

Presidenti i vendit, Ilir Meta, iu është përgjigjur menjëherë kërkesave që i kanë drejtuar sot banorët e Sukthit, të dëmtuar nga tërmeti, që janë strehuar në tenda. Gjatë vizitës që Meta iu bëri atyre për t’i parë në ishin akomoduar siç duhej, mësoi se kishin nevojë për shtretër. Shtretër, për shkak të lagështirës së këtyre ditëve. Meta  i garantoi se  200 krevate portative do t’u silleshin shumë shpejt.

Në vazhdim, Meta udhëtoi drejt Vlorës për Ditën e Pavarësisë, ku prej atje dha një tjetër deklaratë duke theksuar rëndësinë e të qenit sëbashku në këto ditë të vështira, por edhe në jetën e përditshme, sidomos të forcave politike, për të përmbushuar aspiratën e shqiptarëve për anëtarësim në BE.

Nga Vlora, Meta tha: ” “Në Ditën e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë, nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori dhe të gjithë sakrificave të etërve të Pavarësisë sonë që kaluan sprova shumë herë më të rënda, më të vështira për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit, është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e të gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga ky tërmet dhe njëkohësisht të jemi sa më pranë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e shtrenjtë dhe shikuar me besim nga e ardhmja në mënyrë që të gjithë familjet shqiptare që u goditën drejtpërsëdrejti  nga tërmeti dhe po vuajnë pasojat, sa më shpejt të fillojnë jetën normale.”

Pyetjes “a duhet që politika të jetë gjithmonë bashkë si në këtë ditë?”, Meta iu përgjigj:  Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit, për çështjet më të rëndësishme të shtetit, të popullit dhe të bashkëjetesës sonë shoqërore dhe demokratike por sot e në këto raste duhet të jetë dhe jam i bindur që do të jetë si asnjëherë tjetër dhe shpresojmë që të jetë dhe në jetën e përditshme,  aq më tepër për të përmbushur një mision që nuk i jemi afruar vitet e fundit, siç është ai i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, e të gjitha forcave politike, popullit dhe kombit tonë.”