Të rënët për lirinë e atdheut, thërrasin

1119
Luftulla PEZA*
Ditën e premte më 29 shtator 2017 u mblodhëm në Pezë të Vogël, 10 km. në perëndim të Tiranës, për të përkujtuar një ngjarje të madhe të Luftës Çlirimtare për liri, masakrën e përgjakshme fashiste në këtë fshat. Pjesëmarrësit, pjesëtarë të Organizatës të Familjeve të Dëshmorëve të Pezës, të Tiranës, veteranë dhe banorë nga fshatrat e Pezës, të Tiranës, Durrësit dhe më gjerë, Pjesëmarrësit përkujtuan dhe nderuan dëshmorët e Atdheut, të rënë në luftë me fashistët italianë, pranë lapidarit të ngritur për këtë qëllim, ku ndodhet pllaka përkujtimore me emrat e dëshmorëve:

1-Abdulla Xhaferr Spahiu
2-Allaman Hajdar Merepeza
3– Ali Sali Spahiu
4-Haki Haxhi Beka
5-Bejtje Tahir Spahiu
6-Hamid Ibrahim Myrta
7-Ibrahim Jakup Myrta
8– Ismail Zyber Spahiu
9-Mustafa Sulejman Çeka 10-Qazim Bulku
11-Qazi Selim Vrapi
12-Rrahman Ibrahim Myrta
13-Rexhep Hysen Myrta
14-Sali Ali Spahiu
15-Selim Abdulla Spahiu
16-Servete Qamil Spahiu
17-Zelie Abdulla Spahiu
18-Kaje Kasem Dedja

Që të gjithë ishin ose luftëtare të Çetës së Pezës, që kishin shkuar pranë familjeve të tyre dhe u gjetën në befasi ose përkrahës të çetës. Tek lapidari i ngritur për këtë ngjarje, përshëndetën pjesëmarrësit drejtuesit e organizatës së familjeve të dëshmorëve të Pezës, autori i shkrimit dhe të Tiranës Ilir Shkëmbi, u vendos një kurorë me lule për trimëreshat dhe trimat e rënë në luftë, dëshmorë të Atdheut dhe më pas pjesëmarrësit bënë disa fotografi, për ta pasur si kujtim. 

Peza ka qenë djepi i luftës së popullit shqiptar kundra fashistëve italo-gjermanë dhe tradhtarëve të vendit, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Populli i saj, nën drejtimin e komandantit legjendar Babë Myslym Peza, themeloi Çetën e parë Antifashiste më 5 qershor 1940, që i vuri vetes për detyrë të luftoi pa kompromis për çlirimin e vendi nga robëria fashiste, e cila menjë herë filloi aksionet antifashiste. Fashistët të egërsuar dhe të frikësuar nga kjo çetë e vogël trimash, e sulmuan Pezën me forca të mëdha ushtarake më 16 mars 1941, me qëllim ta zhduknin nga faqja e dheut çerdhen shqiptare të lirisë. Në luftën e përgjakshme dhe të pabarabartë, ranë në fushën e nderit edhe dëshmorët e parë të lirisë: Hasan Peza, Vath Korriku, Muharrem Haka, Sadi Sinani dhe Xhafer Durishti. Kjo ishte lufta e parë e organizuar e popullit shqiptar kundra pushtuesve fashistë dhe këta trima janë luftëtarët e parë, që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut. Por fashistët e paguan shumë shtrenjtë, ata lanë në Pezë 84 oficerë dhe ushtarë të vrarë.
Të frikësuar dhe alarmuar nga humbja e rëndë, fashistët ndërmorën terrorin e zi ndaj popullsisë së pa armatosur të Pezës, duke vrarë gra, pleq dhe fëmijë, duke grabitur bagëtinë dhe pasurinë nëpër shtëpi dhe djegur të gjitha shtëpitë. Peza u gjakos dhe u përfshi nga flakët, por ato e kalitën më shumë popullin e saj dhe e lidhën ml ngushtë me LANÇ. Oshtima e kësaj lufte të madhe u ndje në të gjithë vendin dhe nga kjo në Pezë erdhën luftëtarë nga të gjitha krahinat dhe trojet etnike, për të luftuar për çlirimin e vendit.
Më 16 shtator 1942 në Pezë mbahet Konferenca e Pezës, që krijoi bashkimin e popullit shqiptar në një front të vetëm për çlirimin e vendit. Vendimet e kësaj konferenca patën rëndësi të madhe për mobilizimin e përgjithshëm në luftë kundra okupatorit, megjithëse mjaft nga vendimet e saj nuk u zbatuan ose u sabotuan nga komunistët dhe ballisto-zogistët, që luftuan për të marrë drejtimin e luftës. Me një herë pas konferencës së Pezës fashistët italianë e sulmuan sërish Pezën. Në pamundësi për të zhdukur Çetën e Pezës, ata sulmuan egërsisht nëpër fshatra, për të zhdukur rezistencën popullore. Kështu sulmuan më 28 shtator 1942 Pezën e Vogël, në dhjetor 1942 sulmuan Grecën dhe Pajonën, ku vranë dhe dogjën popullin e pafajshëm dhe shumë sulme të tjera. Për këtë ngjarje u organizuar edhe përkujtimorja në Pezë të Vogël. Por ajo që ra në sy të gjithëve ishte mungesa e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e qershorit 2017. As deputeti socialist, që fitoi në zgjedhjet e fundit në njësinë administrative të Pezës, nuk qe i pranishëm në përkujtimoren e Pezës së Vogël. Peza sot është kthyer në qendër pelegrinazhi, ku vijnë djem dhe vajza, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe veteranë nga e gjithë Shqipëria, sepse me Pezën është e lidhur veprimtaria e tyre antifashiste. Pjesëmarrësit e përkujtimores në Pezë të Vogël, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe veteranë të luftës dhe të punës, folën edhe për hallet, që ka kjo shtresë e popullit tonë, e cila pret nga klasa politike, të çojë në vend amanetin e dëshmorëve të kombit, që është lënë në mes të rrugës. Dëshmorët e Atdheut dhanë jetën e tyre të re “për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur dhe që populli të jetojë jetë të begatë dhe të lumtur në vendin e tij”. Por në vendin tonë varfëria, korrupsioni dhe pasiguria kanë mbërthyer vendin dhe nuk po e len popullin të jetojë i lumtur në vendin e tij. Kjo situatë e vështirë, që po kalon vendi, rëndon më shumë mbi familjet e dëshmorëve të Atdheut dhe veteranët, shtresa më e varfër e shoqërisë sonë. Nga kjo gjendje e vështirë ekonomike dhe politike, rinia e vendit ka marrë trastat e po e len vendin me shpejtësi, për ta gjetur jetën më të mirë në vendet e huaja. Këto plagë të rënda që po rëndojnë mbi vendin, kanë ndikim më të keq mbi familjet e dëshmorëve dhe veteranëve. Qeveria me të drejtë po ndihmon të përndjekurit politik, por në asnjë çast të mos harrojë familjet e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, që i sollën lirinë vendit. Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i qeverisë, duhet ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë e tyre të madhe ndaj amanetit të dëshmorëve të Atdheut. Në këto situata të vështira, që po kalon vendi shpesh dëshmorët e kombit përdoren si garniturë në festa, por pa ndjerë përgjegjësitë plotësisht, për të çuar në vend amanetin e tyre të lartë. Prandaj pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve dhe veteranët e Pezës dhe nga e gjithë Shqipëria, që luftuan në Pezë, i drejtohen Presidentit të Republikës Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryeministrit Edi Rama me kërkesat e më poshtme: 

1-Të shtohet kujdesi për mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe të lapidarëve të ndryshëm mbi ngjarjet historike të LANÇ. 

2-Të ndihmohen nga shteti materialisht familjet e dëshmorëve, sepse më tepër se kushdo ato mbajtën peshën e luftës kundra fashizmit dhe po mbajnë peshën e rëndë të varfërisë, megjithëse dhanë gjakun për të mirën e Atdheut dhe të popullit. Familjet e dëshmorëve mbajnë të gjallë kujtimin e dëshmorit, kujdesen për ta nderuar atë dhe për të pritur dhe përcjellë vizita të ndryshme. Shteti paguan të përndjekurit politikë, që vuajtën burgjeve dhe kampeve. Ai duhet të ndihmojë në radhë të parë, familjet e atyre, që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut. 

3-T’u kthehem sa më shpejt pronat të gjitha familjeve të dëshmorëve, që u shtetëzuan nga shteti komunist. Megjithëse një çerek shekulli kaloi nga rrëzimi i diktaturës, shteti shqiptar nuk po ndërmerr detyrimin e tij, t’u kthejë familjeve të dëshmorëve, pronat e konfiskuar padrejtësisht. Qeveria shqiptare jep një shembull të keq në botë për dëshmorët e Atdheut. Në një kohë që ajo po shkel ligjet e shtetit për t’u paguar ndërtimet pa leje me çmimin e tregut, nën presionin e Greqisë, disa shqiptarëve me pasaportë greke në Himarë, familjeve të dëshmorëve nuk u kthen pronat. Jam bir dëshmori dhe në vend që qeveria të më kthejë tokat e babait, ajo shpërndan Certifikata pronësie, për t’i tjetërsuar pronat e babait tim. Nga njëra anë qeveritarët për dëshmorët flasin fjalë të mira, vendosin kurora në varrezat e tyre, por pronat familjeve të tyre nuk po ua kthen! Si ta kuptojmë këtë?
*- autori është bir dëshmori dhe Kryetar i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Pezës.
Sigal