Të punësuar në institucionet shtetërore të Korçës, vetëm klanet e Filo-Peleshit

636
Sigal

Ju rrëfej Korçën e padukshme, atë të dhunës që po i helmon jetën çdo ditë

Shteti duhet të ndërhyjë për t’i dalë përpara së keqes që po e mbyt Korçën

Gjithkush mund të këtë qenë në qytetin e Korçës për disa ditë ose më shumë dhe gjatë kësaj kohe mund të ketë parë rrugicat me kalldrëm, mund të ketë dëgjuar ndonjë serenatë, mund të ketë vizituar muzeun mesjetar, muzeun arkeologjik, muzeun e mësonjëtores së parë shqipe, mund të ketë porositur ndonjë lakror në saç, (megjithëse kjo gjë është traditë e fshatrave dhe jo e Korçës), mund të ketë dashur të provojë kërnackat, ato të famshmet, dikur, (por që tani nuk janë më të tilla), mund të ketë parë kullën “e çuditshme” të ngritur nga bashkia e Korçës kohët e fundit, (mirë ose keq tashmë Korça e ka një kullë), dhe që andej mund të ketë parë vetëm qeramidhet e shtëpive të ndërtuara me punë vullnetare në kohën e Enverit, mund të ketë porositur edhe ndonjë paçe Korçe, (por me siguri që do të ketë thartuar buzët) e do të këtë mbetur i zhgënjyer, mund të ketë pritur të befasohet nga pastërtia dhe rrugët që ndrisin e shkëlqejnë si shkreptima (por lukunia e qenve që bredh rrugëve), ndoshta, nuk do ta kenë lënë ta shohë këtë bukuri të rrallë, mund të ketë shpresuar shumë të shihte gratë dhe vajzat (që rrinë sokakëve me fshesë në dorë), por padyshim që do të ketë gjetur kazanët e plehrave buzë rrugës që kundërmojnë e të shpojnë hundët në çdo minutë. Sigurisht vizitori mund të ketë pritur të shihte më shumë,(po kaq ka Korça), e çfarë të ketë më shumë! Pazari që ka qenë fama e lavdia e Korçë e lanë për 25 vjet me radhë të rrënohet. Megjithatë, kjo është pamja me e bukur, më e mrekullueshmja dhe më e dukshmja e Korçës, (që edhe të kënaq, edhe s’të kënaq), por që gjithsesi, mbetet pjesa më e bukur e saj, ku së paku vizitori të ketë me se të ngushëllohet.

Gra të dhunuara

Krahas lakrorit me dy petë, pijeve të ftohta që u ofrohen, mishit të qengjit të rritur me trëndelinën e maleve të Gramozit, në menynë e përditshme të jetës kulturore të qytetit, legjendave të besueshme dhe të pabesueshme, mes të vërtetave dhe falsitetit, do të gjeni edhe gratë e dhunuara nga bashkëshortët e tyre. Këtë gjë, sigurisht, nuk kini si ta merrni vesh, sepse Korça ofron vetëm gjëra të bukura, (ato që kanë dëgjuar kur ekzistonte Korça e vjetër-Kasabaja), por ne do t’ju rrëfejmë të pathënat e saj. Në raste të tilla dhunimesh vargjet e famshme të serenatave: “Syçkat si ato të tuat, nuk gjenden në dynja…”, zhvlerësohen, mjegullohen dhe mbeten pa formë e pa përmbajtje. Madje edhe lutjet dhe përgjërimet, si: “Nëmi (syçkat) që t’i puth njëherë, që ta nxjerr atë sevda…”, tjetërsohen dhe bëhen të rreme. Tejet të pakuptimta dhe absurde tingëllojnë edhe vargjet e shprehura me zjarr dhe mall: “Sa lotka kam derdhur unë për ty/, sa shumë të kam dashur/, më mirë me ty dhe fukara/, se sa pa ty dhe i pasur…”. Gratë e dhunuara vrapojnë drejt policisë me sy të nxirë e buzë të gjakosur. Dhe kjo gjë në qytetin e Korçës ka filluar të ndodhë shpesh e më shpesh. Vetëm gjatë muajit janar në rrethin e Korçës pati 20 gra të dhunuara, 18 prej tyre kërkuan urdhrin e mbrojtjes. Numri më i madh i grave të dhunuara i përket qytetit të Korçës. Dhe vargjet e serenatës përsëri vijojnë: “U mblodhëm një natë me shoqëri/,  dolli për ty më dhanë/, e piva shishen pa mbarim/, lotkat përdhe më ranë…”.

Dhunë ndaj ish-bashkëshorteve

…Informacionet që vijnë nga policia kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të frikshme: ish-bashkëshorti rreh ish-bashkëshorten!  Ajo që dëgjohet shpesh, vjen në këtë formë: Më datë 22.01.2015, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen L.Ç, vjeç 48, banuese në fshatin Vloçisht, sepse ish-bashkëshorti G.D, vjeç 48, banues në Libonik, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Më datë 28.01.2015, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen B.D, vjeç  44, banuese në lagjen  17 Korçë, sepse  ish-bashkëshorti P.H, vjeç 52, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj si dhe e ka kanosur… Ngjarje të tilla nuk është në gjendje t’i qajë e t’i vajtojë as  kabaja e Laver Bariut. Edhe vargjet e serenatës mbeten të pafuqishme: “Rrugës tënde kur kaloj/, shikoj portën mbyllur/, u ula putha pragun me mall/ sikur të putha ty…”. Mirëpo në të vërtetë jo vetëm që nuk ulen të puthin pragun, por me pragun e gurtë qëllojnë edhe mbi ato gra që dikur i kanë dashur

Dhunë ndaj nënave

Tashmë Korça duket sikur nuk arrin dot të fshihet pas kalldrëmeve, pas violinave e mandolinave, pas anekdotave dhe përrallave, pas reklamave të kryebashkiakut Sotiraq Filos dhe ish-kryebashkiakut Niko Peleshit se Korça është qytet i festave, i dijes, i dashurisë dhe i respektit. Përveç dhunimit të bashkëshorteve nga bashkëshortet, dhuna ka depërtuar deri te nënat dhe baballarët, edhe kur ata janë tepër të moshuar dhe nuk u duhet shumë kohë për t’u larguar nga kjo botë. Ja një nga rastet: më datë 08.01.2015, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shtetasen S. D, vjeç 87, banues në lagjen 14 të Korçës, sepse i biri R. D, vjeç 57, banues në lagjen 14, në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Kjo është më shumë se rrëqethëse dhe më shumë se e dhimbshme. Dhunuesit nuk i shkojnë aspak nëpër mend vitet kur ai ishte i vogël dhe sakrificat që duhet të bëjë një nënë deri sa i të rritet. Vetëm nina-nana-t e saj janë të paçmueshme: “Nina- nani djalënë/, Se na zgjoi mëhallënë/! Kush e ka e kush e do/,Kush e përkëdhel kur do/? Djal’i vogël këto do/, Lodrat edhe vallet-o!..

Dhunë ndaj gjysheve

Po mbi gjyshet a mund të ushtrohet dhunë? Janë ato krijesa të dashura që na mbeten gjithnjë në mendje e nuk na largohen prej andej deri në fund të jetës. Ato janë engjëjt tanë mbrojtës. Kur nuk i kemi më, mungesa e tyre nuk shuhet kurrë. Ato shkëndijëzojnë në kujtimet tona, janë malli që nuk na largohet kurrë. Por… edhe ato dhunohen. Dhe kjo ndodh në qytetin e Korçës, që njihet si qyteti ku u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Sigurisht, askush nuk dëshiron ta besojë, por ja që janë të vërteta. Në ngjarje të tilla vetëm kënga e Vaçe Zelës na vjen në ndihmë, si një mall i madh për gjyshet: “Sot një këngë do këndoj/,  Veç për ty , o gjyshja ime/. E di mirë dhe s’e harroj/, të shkaktova shumë trazime…”. Por ja që lajme të tilla, kaq dëshpëruese, vijnë kohë pas kohe: Më datë 26.01.2015, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen R.R, vjeç 71 banuese në lagjen 16, Korçë, sepse nipi i saj M.Sh, vjeç 35 , ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. E ç’mund të themi tjetër! Të tjera vargje na kujton këngëtarja e madhe:  Këngën time ta kushtoj/, e të falur të kërkoj/, për shumë faje e gabime/, net pa gjumë e mundime…” Megjithatë këto raste nuk janë të rralla:  Më datë 26.01.2015, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen K.O, vjeç 72 banuese në Zvezdë-Korçë, sepse i nipi M.Sh, vjeç 39, banues në Zvezdë-Korçë ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Nuk mund të bëjmë dot asnjë koment më shumë. Shpresojmë të na ndihmojnë vargjet e Vaçes: “Ti u zbardhe , gjyshja ime/,  E çdo vit një rrudhë shton/, sa kokëçarje shqetësime/, sjellja ime të shkakton…”

Kjo është Korça

…Korça  nuk ka det dhe as liqen, nuk ka as lumë (e kishte lumin që ia kishte falur natyra), por e devijoi për të mos e pasur kurrë. Nëse do të ishte lumi, mund të kishte edhe një liqen, ose pishina, mund të kishte vende edhe më të bukura buzë lumit, mund të kishte edhe lokale, edhe më shumë vizitorë dhe më shumë turistë, por tashmë nga të gjitha këto nuk ka asgjë dhe shumë e vështirë të ndryshojë nga gjendja ku e kanë katandisur. Tashmë Korça ka filluar të na çuditë me dhunën brenda familjes, që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe që nuk është aspak çudi që kjo dhunë të derdhet si lumë në rrugët e Korçës, ndaj institucionet e shtetit duhet të analizojnë shkaqet e dhunës në këtë qytet, për t’i dalë së keqes përpara, sepse Korça nuk duhet lejuar të katandiset në këtë gjendje…

Vepror Hasani