“Të mbështesim më shumë Albanologjinë”/ Meta dekoron akademikun Marenglen Verli: Model frymëzimi për kontributin që ka dhënë

194
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar akademikun dhe historianin Marenglen Verli me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

“Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Presidencë, Kreu i Shtetit shprehet se ndihmesa e akademikut për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë historike dhe kulturore është një model frymëzues.

“Kënaqësi të vlerësojmë një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli. Vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër të dy momenteve të rëndësishme të këtyre ditëve: Nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.

‘Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore. Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në çeljen e  aktivitet ‘Ditët e Albanologjisë’, ju uroj të gjithë studiuesve, bashkëpunëtorëve shkencor dhe përfaqësuesve të qendrave albanologjike, në trojet shqiptare dhe më gjerë, punë të mbarë dhe suksese! Momenti i dytë është pak më personal për zotin Verli, por përsëri po e ndaj së bashku. Vetëm pas pak ditësh, në datë 19 dhjetor, zoti Verli feston ditën e tij të lindjes dhe e ka një përvjetor të rëndësishëm, që meritonte një vlerësim po kaq të rëndësishëm.

Zoti Verli është një nga studiuesit dhe historianët tanë, më të njohur me një kontribut mbi 4 dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare. Jeta e tij ka qenë e lidhur me studimet shkencore, botimet dhe mësimdhënien, që pas përfundimit të studimeve pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Krijimi i departamentit të ri ‘Sektori i Historisë së Kosovës’, pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave në vitin 79’, solli edhe përfshirjen e Marenglen Verlit në të dhe profilizimin e tij, si specialist i historisë së Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, kryesisht në periudhën e shekullit të 20’, e më tej edhe në historinë e rajonit.

Për katër dekada, akademiku Verli ju përkushtua formimit e kualifikimit të tij si studiues. Pjesëmarrja e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ashtu si edhe prania e vazhdueshme në median e shkruar e vizive kanë qenë një pjesë e rëndësishme e punës së tij të madhe.

Dëshiroj të theksoj kontributin e z. Verli në shumë emisione televizive e radiofonike, veçanërisht për bashkatdhetarët në periudhën e luftës në Kosovë; drejtimin për shumë vite të departamentit të Historisë së Kosovës; drejtimin për 3 vite të Instituti të Historisë dhe, së fundmi, drejtimin për 5 vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike” – është shprehur Meta.