Të gjithë njësoj janë, të djathtë e të majtë

964
Sigal

Nga Hajro LIMAJ

Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë

Në mars të vitit 1997, përfaqësuesi ynë ushtarak për partneritetin me NATO-n në Bruksel, Gjeneral-leitnant Ilia Vasho, më parë ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, iu drejtua me faks presidentit Sali Berisha për lirimin e tij të parevokueshëm nga detyra. Midis të tjerave ai kishte konflikte me ambasadorin e asaj kohe në NATO, Z. Artur Kuko për të cilin i ishte ankuar presidentit Berisha dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Tritan Shehu. Por kriza politike e atyre muajve që u kthye në një kaos të vërtetë në Shqipëri e detyruan atë që të largohej nga funksioni i diplomatit dhe të kërkonte strehim politik në Belgjikë. Faksin e dorëheqjes që i kishte dërguar presidentit Berisha, ma dërgoi menjëherë edhe mua në Ankara. Mbas 10 minutash ai më doli në telefon dhe me pyeti, nëse e kisha lexuar materialin që më dërgoi dhe më pyeti, se çfarë do të bëja unë në këto zhvillime dramatike. Me butësi e sqarova se Shqipëria është në një nga krizat më të rënda të historisë së saj dhe, nëse e braktisim ne, të gjithë ushtarakët dhe diplomatët në këto kushte, kush mund ta shpëtojë atë ?! I thashë se po kërcënohet rënde tërësia territoriale dhe integriteti i vendit… “Hajro, më tha. A e shikon se çfarë i bëri politika Shqipërisë?!. Mendo për veten dhe familjen tënde se këta të gjithë, të djathtë dhe të majtë, njësoj janë. Mund të vish këtu, ose ik përfundimisht në Amerikë! Ndryshe kur të të vinë mendtë do të jetë vonë”.Mbas dy ditësh më vjen faksi tjetër i dorëheqjes nga atasheu ushtarak në Amerike, kolonel Halil Kraja, i cili mori strehim politik në Amerikë. Ne ishim tre atashetë e parë ushtarakë të emëruar, në vitin 1994, jashtë shtetit. Por unë zgjodha rrugën e mos braktisjes së detyrës dhe të atdheut. Punoja pa pushim dhe me dy fëmijët që ishin në shkollë takohesha shumë pak. Për këtë arsye, një të diel, rreth orës 09, kur po dilja nga shtëpia m’u afrua vajza e përgjumur dhe me qetësi më tha : “Babi, ne nuk kemi nevojë vetëm për ushqim dhe veshmbathje, por kemi më shumë nevojë të të kemi afër, të marrin erën dhe të dëgjojmë zërin tënd”…Situata në Shqipëri po rëndohej dhe të gjitha kanalet televizive të Turqisë jepnin flesh përleshjet me policinë në Vlorë, Lushnje, Sarandë etj. Divizioni i dytë i këmbësorisë greke në Janinë me shumë trupa i ishte afruar e kufijve jugorë të Shqipërisë.

Ministër mbrojtje në atë kohë erdhi Z. Shaqir Vukaj me të cilin bashkëpunuam dhe koordinuam mjaft mirë bashkëpunimin e nevojshëm me Turqinë që drejtohej nga presidenti Dimirel. I organizuam edhe vizitë zyrtare në Ankara, vizitë, e cila u pasua nga ajo e kryeministrit të shkëlqyer të asaj kohe, z. Bashkim Fino. Luftonim të shpëtonim Atdheun e kërcënuar nga brenda dhe nga jashtë… Më vonë, atasheu ushtarak në Gjermani, kolonel Ibrahim Berisha, nipi ish-presidentit Berisha, i emëruar në fund të vitit 1995, për arsye se i urdhëruan kthimin para kohe në atdhe, mori strehim politik në Gjermani. Kështu unë kisha mbetur i vetmi atashe ushtarak i Shqipërisë jashtë shtetit dhe i vetmi që u ktheva në atdhe familjarisht, në vitin 2000. Jo pak e vështirë ishte edhe lufta çlirimtare e Kosovës nga Serbia e Milosheviçit në vitin 1999, ku nga Ankaraja ngritëm në këmbë shtetin turk për të mbështetur me të gjitha forcat popullin vëlla të Kosovës. Bllokuam kalimin e 17 anijeve luftarake ruse që u nisën nga Sevastopoli për të kaluar nëpërmjet ngushticës së Bosforit në Adriatikun Verior për t‘iu kundërpërgjigjur operacioneve ajrore të NATO-s nga Avianoja drejt hapësirave të Kosovës, ku kryeministri i Turqisë, Z. Exhevit e menaxhoi këtë situatë të rrezikshme mjaft mirë. Ishim së bashku me autoritetet turke në Edirne ku ngritëm kampet e pritjes së 20 mijë kosovarëve apo dërgimin e pa ndërprerë të mbështetjes logjistike nga Ankaraja dhe Stambolli të mauneve me mbështetje logjistike të gjithanshme për kampet e përqendrimit të kosovarëve në Shkup dhe në Elbasan… U ktheva familjarisht, në Maj të vitit 2000 në Shqipëri, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Hajdaraga. E vlerësonte shumë qëndrimin tim, por fatkeqësisht si ai nuk ishte Ismail Lleshi, që për çudi erdhi në këtë detyrë. Për të ishte ai i vetmi që nuk kishte problem…. Mendoja se Shqipëria do ta rimerrte veten, do ta konsolidonte shtetin demokratik ligjor dhe do të bëhej një vend normal. Kaluan 17 vjet dallgë mbas dallge dhe vendi nuk po qetësohet. Rinia është dyndur për t’u larguar nga vendi, pensionistet janë në një gjendje ekonomike që nuk përballojnë dot mbi jetesën, krimi është i përditshëm, pasiguria kudo, çmimet dhe inflacioni na mbytën, besimi ndaj qeverive, shtetarëve dhe politikanëve është në zero, politikanët jetojnë në luks me gjakun dhe djersën e këtij populli të varfër. Fëmijët e tyre me super makina dhe në shkollat më të shtrenjta jashtë dhe brenda vendit, zotërojnë vila në bregdet dhe në qytete të ndryshme. Kjo është goditja më e madhe që ka marrë populli shpirtërisht. Ndërsa ne ish-kuadrot idealistë tani jemi të plagosur shpirtërisht. Për çfarë punuam dhe luftuam ne dhe ku po shkon ky vend?! Prandaj paska pasur të drejtë gjeneral Ilia Vasho. Gjeneral Vasho kishte të drejtë kur më tha, se këta politikanët tanë janë njësoj të gjithë dhe nuk janë aspak si ne, që mbi interesat e atdheut nuk vëmë jetën. Këta i kërkojnë, i marrin dhe i shfrytëzojnë postet dhe pushtetet vetëm për t’u pasuruar familjarisht, pa ndier përgjegjësi dhe dhembshuri, se popullin e braktisin në ditët më të vështira dhe e mashtrojnë në mënyrat më të turpshme. Në Shqipëri u vërtetua thënia filozofike se “Ashtu si lufta që bëhet me gjakun e të tjerëve, ashtu bëhet edhe pasuria me lekët e të tjerëve” Ky është një turp i rëndë për ata të cilët, politikën e kanë kthyer në qendra biznesi, pasurimi dhe krimi ekonomik. Nëse edhe ndaj këtyre politikanëve, qeveritarëve dhe shtetarëve nuk do të zbatohet vettingu duke i izoluar në burgjet e vendet siç bëjnë të gjitha vendet e tjera, shqiptarët do marrin arratinë të gjithë.