Të dhënat më të fundit për naftën dhe gazin në botë

772
Prof. dr. inxh. Arqile TETA

(Një libër me vlerë nga Inxh. Gjeol. Fatri KADILLI)
Shqipëria jonë është quajtur në vitin e largët 1938 Mesopotamia e re (Nuova Mesopotamia, New Mesopotamia). Ishte atëherë perla e Evropës për nëntokën e saj. Falë gjeologut të shquar polak S. Zuber (punonjës i AIPA-s italiane) Shqipëria ishte bërë e njohur si rezervuar hidrokarburesh dhe një prodhuese e fuqishme në Evropë e naftës me mbi 148 000 ton në vit (sipas të dhënave mjaft të zvogëluara tv AIPA-s për arsye fiskale e sekreti). Pikërisht në vjeshtën e 1938-s Shoqata e gjerë e gjeologëve të Italisë, mblodhi në Kuçovë në një konferencë shkencore (Convegno di studiosi) gjithë gjeologët e universiteteve të Italisë si dhe shumë profesorë të tjerë nga Zvicra, Austria e vende të tjera të Evropës Perëndimore dhe nga SHBA për t’u njohur me rezultatet e shkëlqyera të arritura në Kuçovë në nxjerrjen e naftës. Në këtë takim të elitës së gjeologëve evropianë lindi idea e “ëndrrës” se Shqipëria është rezervuar nafte në Ballkan si Mesopotamia. E valëviti këtë ide në një horizont të përflakur para Luftës së Dytë Botërore Zuberi dhe kjo “ëndërr” vazhdoi e nuk do të vdesë tek shqiptarët kurrë! Pas vitit 1945, u arsimua dhe u krijua një plejadë e tërë gjeologësh e inxhinierësh, me djem e vajza shqiptarë, që do të ngrinin e zhvillonin industrinë e naftës, degën jetike të ekonomisë së vendit. Në këtë plejadë u radhit dhe gjeologu i njohur Fatri Kadilli, i ndeshur e i përplasur nga gjithë shtjellat e furtunat që kaluan kuadrot e naftës. Që fëmijë ai ndjeu e thithi avujt e “parfumit” të naftës së Kuçovës e Patosit e nuk u nda nga nafta deri në moshën e pensionit. E filloi karrierën si gjeolog pusi dhe vazhdoi deri në studiues e projektues i puseve të kërkimit të naftës. Ishte bashkëpunëtor i afërt në studime e projekte me gjeologët e shquar të naftës si, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Petraq Xhaçka etj, të cilët i besonin inteligjencës së tij, përgatitjes profesionale, arsyetimeve dhe mendimeve të sakta. Sot me pjekurinë e një përvoje të gjatë na jep në dorë një libër mjaft interesant, një kompilacionit shumë tërheqës, me të dhënat më të reja të viteve të fundit mbi hidrokarburet në Botë (pa përjashtuar Shqipërinë) me titullin “Nafta dhe gazi natyror në Botë, në vitet 2016-2017” botim mjeshtëror me ngjyra i “Onufri-t”. Libri përmbledh në një vëllim të përdorshëm lehtë, pa vështirësi e praktik – gjithëpërfshirës – arritjet bashkëkohore (kryesisht vitet 2016-2017) të zbulimi, prodhimit e konsumit të hidrokarbureve në Botë dhe në Shqipëri. Në këtë libër gjen të dhëna e plotëson dijet, jo vetëm një specialist i mesëm, gjeolog apo student i lidhur me shkencën, teknikën e teknologjinë e zhvilluar sot në nivel të lartë të hidrokarbureve, por edhe lexuesi i zakonshëm që ka etje e do të dijë për naftën e gazin në Botë dhe në Shqipëri (kap. V). Jepen të renditura në mjaft tabela, statistika prodhimi ndër vite e deri sot, për vende të ndryshme të Botës, rezervat e shumë të dhëna të tjera interesante për vendburime e shtete. Për një naftëtar shqiptar është tronditës fakti që, ne nga vendburimet tona të naftës deri sot kemi nxjerrë vetëm 15-18% të rezervave, kurse bota me teknologjitë e avancuara të nxjerrjes (kryesisht me metodat dytësore) arrin – sipas autorit – të nxjerrë deri 60% të rezervave gjeologjike. Ky sinjal rendit detyra serioze për Departamentin (apo Drejtorinë Teknike) e AlbPetrolit, që është kompania jonë shtetërore. Dikur, kur bëheshin arrestime të njëpasnjëshme të kuadrove të naftës, një profesor i njohur i filozofisë, i ndjeri Z. Xh. më tha: “Siç duket, nafta qenka shkencë e vështirë dhe shumë e komplikuar”. Fillova t’i flisja për tektonikën e ndërlikuar, avaritë e shpimeve etj.„ “E kuptoj -më tha së fundi- nafta e gazi nuk kapen kollaj”. Dhe kështu, vërtet! Shumë vështirë t’i zbulosh, shumë vështirë të arrish në shtratin e tyre, shumë vështirë t’i nxjerrësh! Sa fontana nuk kemi mundur t’i mposhtim e t’i vëmë në zotërim, e vendburime me rezerva të mëdha na kanë humbur. Por këto vështirësi e të papritura i lartësojnë më shumë naftëtarët për të cilët është më se i merituar “Statusi i naftëtarit” që u dha qeveria Rama si shpërblim të veçantë nga shoqëria. Në librin e gjeologut F. Kadilli flitet gjerësisht për zbulimet e dhjetëvjeçarit të fundit të gazit rreshpor (nga shtresat deltinore apo argjilore siç njihen gjerësisht) të cilin autori e quan “shale gas” sipas terminologjisë të literaturës anglo-amerikane. Ky gaz (kap. VIII) që gjendet në depozitimet deltinore ka krijuar një epokë të re të hidrokarbureve. Ky gaz metan e bëri importuesin deri dje më të madh në Botë të hidrokarbureve SHBA-në pothuaj të pavarur nga hidrokarburet e OPEK-ut. Ai ndodhet dhe në shtresat deltinore (apo argjilore) të pranishme, relativisht të trasha të vendit tonë. Me të drejtë autori shtron për zgjidhje, fillimisht eksperimentale, tezën e shfrytëzimit të gazit rreshpor dhe në vendin tone duke zbatuar metodën e çarjes ose thyerjes (frackingun) të shtresave deltinore me force të rrymës hidraulike. Në libër (kap. IX) lexuesi gjen informacion dhe dije mbi zbulimin e ri të gazit hidrat të metanit (clathrat) që gjendet në fund të deteve dhe oqeaneve në përmasa rezervash të pallogaritshme, por akoma i pashfrytëzuar sepse ende nuk janë gjetur teknologji të përshtatshme e të leverdisshme. Të dhëna sqaruese ka dhe për terma specifike të shkencave të tokës, për njësi matëse energjetike që u vlejnë jo vetëm gjeologëve dhe studentëve por edhe inxhinierëve të ndryshëm sidomos atyre termistë e atyre që merren me çështje energjetike dhe me lëndët djegëse. Libri i gjeologut Fatri Kadilli “Nafta dhe gazi natyror në Botë në vitet 2016-2017” do të kënaqë çdo lexues. Lexuesi do ta ndjejë veten pas leximit më të pasur me dije për Botën dhe hidrokarburet. Civilizimi i sotëm i njerëzimit i dedikohet kryesisht hidrokarbureve. Por nuk duhet harruar, se nga lakmia njerëzore ato kanë sjellë dhe fatkeqësi e luftëra të përgjakshme. Kjo lakmi e njeriut duhet mposhtur. Një redaktim më i thelluar gjuhësor, Shqipërim më i goditur dhe me më pak fjalë e shprehje nga anglishtja do t’i ngrinin vlerën këtij libri interesant dhe i domosdoshëm për bibliotekën e kujtdo lexuesi.
Sigal