Të dënuar për vrasje dhe drogë, OFL kërkesë katër të fortëve në Dibër: Deklaroni pasurinë

369
Sigal

Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesën për të deklaruar pasurinë katër personave, të cilët janë të dënuar për vrasje dhe drogë.

Ata janë Uran Rahman Skuka nga Dibra, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”.

I dyti është Artan alias Dritan Buci nga Dibra, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Elton Sefer Daçi, banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe Skënder Topalli banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me 25 vjet burg për veprën penale “Vrasja me paramendim.

Njoftimi i Policisë:

OFL, 19 maj

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– U. S., banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”;

– A. B., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;

– E. D., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

– S. T., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 25 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.