‘Tatimet’ e përgjimi i SHIU-t, ngecin hetimet, duhet ekspertim nga jashtë

346
Sigal

Hetimet për serverin e tatimeve dhe dyshimeve për pajisen e përgjimit të përdorur nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë pengohen nga mungesa e një ekspertize dhe akt ekzaminimeve fizike veprime këto të cilat nuk mund të bëhen nga laboratori ynë i kriminalistikës. 

Ky fakt u bë publik nga Kosta Beluri, drejtori i Task Forcës në Prokurorinë e Përgjithsme gjatë diskutimeve për kapacitetet e policisë shkencore organizuar nga prezenca e OSBE-së.

“Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet serveri i tatimeve. Hetimi për këtë rast është bllokuar për faktin se për shakak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve policia shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin se ka patur apo jo ndërhyrje. Vërtetimi mbi atë që konsiderohet pajisja e përgjimit të Ministrisë së Mbrojtjes edhe në këtë rast nga ana e policisë shkencore nuk është arritur të konkludohet nëse ka patur ose jo përgjime të paligjshme”, deklaroi Beluri.

Për zëvendës ambasadorin e OSBE-së, ky laborator dhe drejtësia tashmë kanë në dorë një hetim të rëndësishëm siç është dosja “Lazarati”, pasi sipas tij policia bëri një operacion të sukseshëm.

“Policia e bëri punën e saj në Lazarat, psh dhe gjatë vitit 2014 puna e prokurorëve, ekspertëve të policisë shkencore dhe gjyqësori në këto raste vetëm sa ka filluar”, deklaroi zëvendës ambasadori i OSBE-së.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi u shpreh se ka ardhur momenti që të shihet një mundësi financimi për këtë laborator.

“Ne shikojmë që ky laborator, kjo njësi që e quajmë drejtori tani e kemi quajtur laborator e njëherë e kemi quajtur insitut të marrë një status, të ketë frymëmarrje, të ketë administrim, të ketë disa të ardhura që ajo t’i përdori pastaj për çështjet e veçanta”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.