Tabela tregon: “Këtu është zyra e punës”! Po puna ku është…?!

794
Sigal

Me merakun e madh, që shqiptarët e pa punë të mos
sorollaten rrugëve e rrugicave të qyteteve për të kontaktuar me Zyrat e Punës që
ka hapur “Rilindja” e për të marrë fletën e punësimit sa më shpejt, ministria përkatëse
ka menduar për një zgjidhje efiçente në shërbim të qytetarëve. Konkretisht, nëpër
rrugët e Tiranës dhe të 11 qendrave të prefekturave, krahas tabelave e
pllakateve të emërtesave të rrugëve, shkollave e lagjeve dhe reklamave të bizneseve,
në rrugët ku gjenden Zyrat e Punës është vendosur edhe një tabelë tjetër
orientuese, që ka lidhje me punësimin. Siç shihet edhe në pamje që po
publikojmë nga rruga ku ndodhet një prej zyrave të punës në Tiranë, tabela
orienton qytetarët se atje ndodhet “Zyra e Punës”! Tabelat e vendosura pranë
Zyrave të Punës kanë këtë kujtesë: “Këtu është zyra e punës”. Kjo tabelë-kujtesë
është një “risi shkencore” që qytetarëve të papunë është “ideuar” nga Ministria
e Punës, vendosur pranë Zyrave të Punës, në të cilat në këto 25 vjet, nuk ka
trokitur asnjë familjar, i afërm, mik apo shok i shtetarëve dhe politikanëve,
mbasi ata nuk emërohen e punësohen duke trokitur në këto zyra ku shkon troket,
lutet, mashtrohet e tallet populli, por punësohen duke u trokitur e duke u çuar
emërimet nëpër shtëpi! Duke lexuar tabelën (reklamën) me kujtesën: “Këtu është
zyra e punës”, bëjmë pyetjen: – Po puna, ku është…?!