Nga Viron Bezhani
Kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar
Kemi 30 vjet në demokraci, por sporti në Shqipëri vazhdon të shihet si i njerkës nga pushtetarët dhe vetëm sa mbahet gjallë me shpirt ndër dhëmbë. Sporti vazhdon të mbijetojë me një buxhet minimal, që gjithmonë vjen duke u tkurrur, sa për frymëmarrje, me një Ministri Sporti, ku fjala sport mezi dëgjohet. Sporti në vendin tonë po shkatërrohet dita-ditës dhe të gjithë heshtin. Politikanët tanë as nuk mendojnë për sportin shqiptar, duke konsideruar atë thjesht si një argëtim. Gjendja e terreneve sportive vazhdon të jetë e mjerueshme, ndërkohë që vlerësimi nga shteti për ato është minimal. Dhe të mendosh që terrenet sportive janë baza e nisjes së të bërit sport. Mjafton të kthejmë kokën nga Kosova, që jep për sportin një buxhet 8-fish më të madh krahasuar me atë që jepet në Shqipëri për të kuptuar diferencat.
Jo vetëm kaq, por Kosova aplikon një ligj shumë herë më të mirë se në Shqipëri për sponsorizimin, që lë të kuptosh se sa larg atyre jemi ne edhe pse kanë kaluar 30 vite demokraci. Për fat të keq, u desh dhe një coronavirus që t’i jepte shuplakën përfundimtare sportit shqiptar, duke e shpënë edhe më shumë drejt greminës. E dimë që ky virus ka ndryshuar jetën e shoqërisë, ku përfshihet edhe sporti, me njerëzit që janë ngujuar prej ditësh në shtëpi. Gjithsesi, mendoj se njerëzit e sportit duhet të gjejnë mënyra të reja për ta kapërcyer këtë situatë dhe kush më mirë se sportistët mund të luajnë një rol të rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe sfidat që na presin drejt Olimpiadës. Dua t’i bëj thirrje të gjithë sportistëve e sidomos atyre të elitës, që të vazhdojnë aktivitetin sportiv edhe përgjatë këtij izolimi në shtëpi, brenda në dhomat e tyre, në oborr apo aty ku ata do të gjejnë një mundësi për t’u ushtruar. Problem mjaft shqetësues është se trajnerët dhe sportistët që marrin pagë nga bashkitë duhet patjetër të vlerësohen dhe të vazhdojnë të marrin pagën e tyre, pasi me atë pagë ata jetojnë.
Mendoj se qeveria, në “Paketën e ndihmës së luftës”, duhet të shtojë një zë edhe për sportin, siç po bën e gjithë bota dhe jo ta lërë sportin sërish në mëshirën e fatit, duke mos e përfilluar fare. I bëj thirrje qeverisë shqiptare si dhe Kryeministrit, që duhet me urgjencë sot të mendojnë edhe për sportin, pasi e nesërmja do të jetë shumë vonë. I bëj thirrje Ministres së Sportit, që në bashkëpunim me KOKSH-in, të marrin në konsideratë sportistët e elitës, për t’i krijuar kushte për stërvitjen e tyre në vende që nuk paraqesin rrezik. Nuk shoh ndonjë problem për t’i krijuar një mundësi minimale rekordmenit të shtangës, Briken Cales, nëse duam me të vërtetë që ëndrrën ta bëjmë realitet dhe në Olimpiadën e ardhshme të fitojmë një medalje. Nuk shoh ndonjë rrezik nëse mendojmë edhe për Smajlaj, Gegën, Zenelin e për të gjithë grupin e sportistëve të përparësisë. Pas përfundimit të karantinës duhet t’i krijojmë mundësi këtyre sportistëve për t’u stërvitur jashtë, në kampingje dhe terrene sportive moderne, në mënyrë që të plotësojmë këto boshllëqe që po krijohen nga karantina.






















