Ta hap a të mos e hap, kjo është çështja?!

580
Sigal

Nga Hyskë Borobojka                                               

Fejton

Sa ngrihem në mëngjes qëndroj si përmendore përpara ekranit të televizorit dhe vras mendjen: Ta hap apo jo?! Ndodhem në këtë dilemë, pasi e di se, sa zbardhet ekrani i televizorit, do të fillojë “Rubrika e zezë”. Se në kërthizën e Tiranës, në ish-Bllokun e diktaturës, koburja kërkon nam, kërcet dhe një qytetar e dërgon në atë botë e dy të tjerë në spitalin e traumës. Se një adoleshent, gjashtëmbëdhjetëvjeçar shkon në lokal të pijë një kafe dhe mbetet pa frymë nga thika e një krimineli. Rubrika vazhdon me lajme taze Koburja dhe kallashnikovi që kërkojnë nam kërcasin në Shkodër, në Elbasan, në Vlorë, në Burrel e ku jo?! Makinat e çmendura, që shpesh drejtohen nga adoleshentë e të dehur u marrin jetën kalimtarëve në autostradë e ne rrugë nacionale. Disa piratë grumbullojnë e paketojnë lëndë narkotike. Për ta tregtuar në Evropë, ku duam të hyjmë. Diku grabitet nga hajdutët profesionistë një banesë, një magazinë, një arkë… Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë marrë revan e s’duan të ndalin. Njeriu i gjorë nuk di nga të ruhet më parë, nga krimineli, që shëtit sheshit me kobure në brez e thikë në këllëf, nga grabitësi apo nga drogaxhiu?!. Prandaj rri i ngrirë përpara ekranit të televizorit dhe thotë: Si vallë nuk ka një ditë të mos mos dëgjosh “Kronikë të zezë, me vrasje, shtypje e grabitje?! Vrasje e shtypje?! Kësaj enigme i përgjigjet Ministri i Brendshëm me anë të figurës stilistike të krahasimit, se në krahasim me vitin filan e fistek, kur në pushtet ishte opozita e sotme, vrasjet janë në rënie, duke pasur një përqindje më të vogël nga dita në ditë e nga java në javë. Ato gjatë qeverisjes të “Rilindjes së Re” “dalë nga dalë po fashiten e po shkojnë drejt zeros Këto fluturime pindarike me krahasime të zotit ministër, të kujtojnë krahasimet që bënte sistemi diktatorial në Kongreset e Partisë e shtrimin e planeve pesëvjeçarë, …se në krahasim me vitin 1938 të monarkisë, vendi, nën udhëheqjen e ndritur të partisë po kalon nga “fitorja në fitore”! Mirë që nuk bënin ndonjë krahasim me qeverinë e Vlorës të viti 1913!?. “Fitoret” dhe premtimet kalonin me “sukses” nga një pesëvjeçar në tjetrin, duke filluar nga “luga e florinjtë duke vazhduar me triskën e bukës e duke mbarur me talonin e vezëve, të qumështit e mishit. “Rilindja e re” vazhdon rrugën e “sukseseve”, se ditët që do vijnë do të jenë më të “lumtura” se ato që shkuan. Ndërsa Opozita ka braktisur Parlamentin e ka dalë për tebdil hava e turizëm, duke ndjekur hotelet luksozë nga Shkodra në Elbasan e deri në Vlorë buzë detit, duke gjuajtur e mbledhur “fakte” e prova dështimesh të Pozitës në pushtet për t’ia tundur themelet qeverisjes së “Rilindjes. së Re”. Loja vazhdon me sukses. Pozita vërr suksese e realizime, Opozita vërr konstatime e fakte (të vërteta e jallane) – Shpifje, shpifje! Janë gënjeshtra me bisht të gatuara në kazanin e medias!- ulurin kryetari i qeverisë i shoqëruar nga anëtarët e thekur të “Rilindjes së Re”. Politikanët nga e majta tek e djathta e kanë në terezi, pasi e kanë siguruar mirë e bukur mirëqenien, që nga pagat e majme, e makinat luksoze, deri te vilat moderne dhe s’u bie ndërmend për atë që s’ka bukë në sofër. Ata zihen e grinden, njëri krah nga salla e Parlamenti, krahu tjetër nga hotelet jashtë tij. Po kjo dihet, kur zihen e grinden atllarët (politikanët) shkelmat i hanë gomarët. Dhe në rolin e këtyre të fundit janë ata që s’kanë bukë të hanë. Ky hendek i thellë ndërmjet oligarkëve e politikanëve pasanikë me popullin gjorë e të varfër, më kujton një ngjarje të dhembshur në kohën e diktaturës. Një ekip partiakësh shkoi në një zonë të thellë malore për të sqaruar fshatarësinë kooperativiste për të mirat e lumturinë që u ka krijuar “Partia e lavdishme”. Fjalëve të bukura pa kandar të lektorit partiak, njëri nga fshatarët e moshuar iu përgjigj:

-Mirë e ke zotrote, se në fund të muajit më darkë e çon në shtëpi një 5 mijë lekëshe. Por unë 20 lekë të vjetra për ditë pune marr, çfarë të çoj në shtëpi?! Lektori nuk foli po vazhdoi avazin. Kur po ktheheshin: -Pse s’iu përgjigje?- i tha shoku, që e shoqëronte.

-Çfarë t’i thosha?! Ku ta dinte ai se unë nuk çoj në shtëpi 5 mijë lekë në muaj, por 10-të mijë? Kështu ndodh edhe me politikanët tanë, të pangopur që vazhdojnë të mos ngopen, e s’u bije ndërmend për ata që bien e ngrihen me barkun bosh.