Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Trendafili i skeles

92
Sigal

Quhej Rubie por shkurt i thërrisnin Rubi. Pesë muaj para se të mbushte 16 vjeç ishte një vajzë e dobët, me këmbë të holla si shkopinj, me vithje si kulaç përsheshi, dhe gjoksin dërrasë. E vetmja gjë që spikaste menjëherë ishin flokët e kuqe dredhadredha, që vështirë të kishte krehër t’i shtronte dhe sytë e mëdhenjë me vetullat e harkuara. Shpesh dukej si një vajzë e vogël, që luan ende me kukulla. Sa herë e ëma e vendoste në magjen e vogël prej druri, për ta larë i thoshte herë me humor dhe herë me inat: Mirë që je e thatë, me këto këmbë të gjata si shkopinjë, po këta flokë si kaçube ferrash e drizash me çfarë i ushqen që të rriten përditë? Pastaj e përkëdhelte, e shtrëngonte fort duke i thënë te veshi:

– Të kam shpirt! Ke për tu bërë aq e bukur sa do të çuditësh jo vetëm Skelën por gjithë qytetin. Do të bëhesh si një trëndafil. Vajza pak kuptonte por fjalët e nënës mjaftonin, që të besonte se një ditë do të bëhej e bukur.

Dy muaj pranveror dhe tre muaj behari i ishin dashur Zotit, që ta shndërronte nga një rosë e shëmtuar në një mjellmë me bukuri të hatashme. Nuk i bënte më asnjë rrobë në trup. Dukej se një dorë e padukshme ishte marrë ngeshëm me çdo pjesë të trupit, duke e shndërruar në sytë e nënës së vet dhe të të afërmve, nga fëmijë, në zonjushë me një bukuri të rallë. Flokët nuk kishin ndryshuar pothuaj fare; vetëm ngjyra e kuqe tashmë kishte marrë një nuancë bakri.

Kur mbaroi klasën e gjashtë e mbyllën në shtëpi si gjitha vajzat e lagjes. Mësoi të qëndiste, të lante, të hekuroste, të gatuante, të pastronte si një amvisë e vërtetë shtëpie. Dilte një herë në ditë të mbushte ujë pranë molit të anijeve, te Çezma e Lagjes, ku ndodhej një postbllok ushtarak. Aty e pa Franko, një ushtar italian, që sa kishte mbushur nëntëmbëdhjetë vjeç e kishin mobilizuar në ushtri. Ishte me një trup mesatar, vetullzi, me sytë në trajtën e bajames si mongol, me ca mustaqe të holla të modës për kohën. Hunda krrute jo e madhe ia prishte pak bukurinë por e tregonte më të rritur dhe burrëror. Ditën e parë që e pa vajzën, me një fustan si thes deri te thembrat e këmbëve, shaminë e s’ëmës me temina që mbulonte përgysmë flokët e shkartisur si fole mëllenjash, me nallanet që bënin traketruk rrugës së paasfaltuar, Frankos iu duk fare kot, si ato katundaret në fshatrat, ku kishte shërbyer më parë. Kur Rubi vendosi kotruven mbi kokë si nartiotet, dy gjymat e vegjël në secilën dorë, ngriti trupin dhe drejtoi kokën Frankua shtangu. Sytë e mëdhenjë, qerpikët e gjatë me vetullat e harkuara,  hunda e drejtë me quka, poshtë së cilës buza e sipërme vinte e ngritur, duke zbuluar dhëmbët  në ngjyrën e fildishit, faqet e plota  si dy gjysma pjeshke të pjekura, veshur me një push të hollë, që bashkoheshin nën një mjekër gjysmë ovale me një gropëz në mes, balli i gjerë mbuluar deri te sytë nga kaçurrelat, lëkura e butë si mëndafsh e qafës së hollë e të gjatë si mjellmë, e bënë djalin të rrintë me gojën hapur pa thënë gjysmë fjale. Kur vajzat u larguan nën trakatruken e nallaneve, Franko u përmend, vuri duart në kokë dhe psherëtiu: Mama ia! Che belleza!

Sa herë Rubi me shoqet shkonin për ujë, Franko ishte aty brenda postbllokut, vetëm dhjetë hapa larg Çezmës së Lagjes. Ç’nuk bënte për t’i tërhequr vëmendjen po vajza as që e ngrinte kokën ta shihte. Një ditë ashtu tinëz pa Frankon dhe sytë e tyre u ndeshën. Aq nevoitej që të ndizej një zjarr, që do të bënte të merrnin një vendim për të cilin nuk u bënë kurrë pishman, megjithëse ata që lanë pas e vuajtën dhe u bënë kurban padrejtësisht nga veprimi i tyre.

Për dashurinë midis dy qënieve njerëzore është folur e shkruar herët, madje ajo qëndron në themel të krijimit të shoqërisë njerëzore në të gjitha mitet e krijuara për të. Dashuria është instikti bazë i vazhdimësisë së jetës, është intiutë e heshtur, ambicie e xhelozi, besim për t’iu dorëzuar tjetrit; është goditje rrufeje, mirëkuptim midis dy njerëzve, njohja e vetvetes dhe e tjetrit, kërkimi i lumturisë, kapitullim pa kushte para së bukurës, gjetja e intimitetit ekstrem të pa provuar më parë, është një ndjenjë që e këput burrin dhe gruan si  një sëmundje, është kimi dhe arrin kulmin e lumturisë kur gjen shpirtin binjak, është e vetmja gjë për të cilën ia vlen të sakrifikohesh megjithësej, është… Ndoshta do të mbetet një planet që do të vazhdojë të zbulohet pambarimisht. Dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për detaje. Sa zgjat ajo, a është e përjetëshme, e përkohëshme, a e vret martesa dashurinë sidomos kur bëhesh me fëmijë në moshë fare të re, a duhet njohje paraprake, eksperiencë e gjatë, para se dy njerëz të martohen? Hiç nuk dinte Frankua dhe Rubia nga këto teori të filozofëve, shkrimtarëve, sociologëve apo psikologëve. As kishin dëgjuar ndonjëherë për teoritë e Niçes apo Shopenhauerit. Madje më shumë shpreheshin me sy e shenja sepse e flisnin fare pak gjuhën e njëri-tjetrit, për të shprehur gjithçka ndjenin.

Kur vajza shkonte te çezma, djali sikur mbinte nga dheu e shfaqej aty prapa gardhit. Amore mio, tesoro mio, Rubia, (tashmë vajza kishte mësuar ca fjalë italisht) përsëriste Franko. Vajza skuqej, buzëqeshte dhe e përpinte me sy. Gjysmë ore zgjaste kjo mrekulli sa vajzat mbushnin enët me ujë. Duhet të kalonin 24 orë që mrekullia të përsëritej.

Më 8 shtator të vitit 1943 italia fashiste kapitulloi. Ushrinë e përfshiu kaosi dhe pasiguria. Rreth 15.000 ushtarë italianë ndodheshin në Shqipëri, duke pritur urdhëra sesi do të vepronin më tej. Një pjesë e tyre braktisën ushtrinë, u punësuan në familjet e shumë shqiptarëve që u treguan bujarë dhe u hapën dyert e shtëpive. Franko filloi punë si marangoz diku në një punishte në Skelë. Kjo bëri të rinjtë të shiheshin më shpesh fshehurazi nga sytë e njerëzve me minuta të numëruara.

-Do të iki me Frankon në Itali,- i tha Rubi nënës së vet. Zengjines i ra pjata nga dora dhe iu drodh shpirti. Nuk e priste këtë lajm.

-Ti je ende fëmijë, moj bijë, ti nuk kupton… Franko është vet fëmijë dhe nuk di ku e ka kokën. Mezi po u rris dhe pas vdekjes së babait tuaj vetëm për ju jetoj. Një javë më vonë me një boçe në krahë, pas mesnate Rubia u largua nga shtëpia, ku do të kthehej pas 47 vitesh.

U fol shumë për të megjithëse nuk ishte vajza e parë nga ajo lagje e varfër, e dashuruar me ushtar italian. Por më shumë ngjarja u përfol dhe bëri bujë në fshatin mbi kodrinat mbuluar me ullinjë, nga kishte zbritur familja, kur babai i Rubijes kishte filluar punë në molin e qytetit si hamall. Shqopajt, xhaxhallarët e saj, ndiheshin të turpëruar nga mbesa, që ia kishe mbathur me italianin. Duke u ndodhur dhe nën trysninë e madhe të banorëve të fshatit u mblodhën dhe dolën në përfundimin se vajza kishte turpëruar fisin dhe nderi duhej të vihej në vend. Përsipër këtë e mori Asim Shqopja, xhaxhai i Rubies.

  • E ujdis unë këtë punë. Ma lini mua,- u tha Shqopajve.

Nxorri nga muri një revole të vjetër, që nga Lufta e Vlorës më 1920, mbushi një torbë me bukë misri, ullinjë, djathë, ca kokrra qepë dhe zbriti në qytet, drejt e te shtëpia e kunatës. Pa u hapur mirë dera, filloi të gërthiste sa i hante gryka:

– Ti e ke mësuar të bëj dashuri me italianin. Që kur të vdiq burri dhe të morën pastruese në zyrat e italianëve atë punë ke bërë. Fajin e kam vet: të kërkova nuse për vëllanë e trokita në shtëpinë e evgjitëve, ( fisi i Zengjines shquhej për bukurinë e grave dhe lëkurën e zeshkët) dhe ja seç na bëre. Tregomë ku është ajo kurva e vogël, bashkë me atë dobiçin italian, ndryshe do të vrasë ty në vend të tyre! Zengjineja kur dëgjoi ato fjalë kujtoi vajzwn e pafajëshme, pa fëmijët që me vwshtirwsi arrinte t’i ushqente, iu hodh si një panterë, e rrëzoi në tokë dhe u përpoq t’i ngulte thonjtë në grykë. Sherri dhe ulërimat e fëmijëve bënë që komshijtë të ndërhynin, duke e larguar Asimin jashtë në rrugë…

-Do të më shihni e do të merrni vesh se kush jam unë. Jeni bërë të gjithë si italianët e keni harruar nderin e zakonet. Duke u larguar thirri sërish: -Njeriu për një nder rron ndryshe, kot qw rron…

Asim Shqopja u vërtit një copë herë nëpër qytet, pyeti disa të njohur por kurrkush nuk dinte gjë për çiftin e arratisur. Pastaj u kujtua duke i rënë ballit me shuplakë: Në periferi të qytetit ushtria kishte hapur një shtëpi publike në shërbim të ushtrisë italiane, që vazhdoi të funksionojë edhe ca kohë pas kapitullimit. Njerëzit e shikonin nga larg të çuditur dhe me përbuzje. Pastaj u mësuan por kurrë nuk dëgjuan dhe as ndodhi që një vajzë e qytetit të kishte shkuar atje. Burrat edhe kishin filluar tek-tuk të shkonin fshehtas natën. Hasimi e gjeti shpejt Pallatin e Verdhë ( edhe sot ashtu quhet) dhe kërkoi të hynte brenda me gjithë brucën e leshtë, opingat gjithë baltë e çibukun që nxirrte tym si një furrë gëlqereje. Rojet e ndaluan dhe i shpjeguan që puna fillon pasdite. Paraditja ishte pushim, vajzat flinin gjumë dhe merreshin me punët e tyre. Mezi arritën të kuptonin pse kishte ardhur ai njeri i çuditshwm atje qw gjithë kohën vetëm  bërtiste:

-Kërkoj mbesën time, që e ka rrëmbyer një italian me emrin Franko dhe e ka sjellë këtu! Pas shumë debatesh e të thirrurash, pasi hodhi një sy i shoqëruar nga rojet nëpër dhomat, u sigurua se vajza nuk ishte te Shtëpia e Verdhë. U lehtësua ca dhe tha me vete: Tani e di unë se ç’do të bëj dhe si lahet nderi i fisit të Shqopajve. U kthye sërish në Skelë te shtëpia e kunatës, i dha një shqelm derës së vjetër, që u përplas në tokë gjithë tërsëllimë  dhe iu hakërrye gruas, duke i drejtuar revolen me mulli: Këtë turp Shqopajt nuk  e mbajnë dot në kurriz dhe ky turp lahet me plumb. Ti e mësove… Ndërkaq tre fëmijët e vegjël, dy djem e një vajzë, të lebetitur u hodhën në këmbët e xhaxhait tw tyre, duke qarë e lutur ta mos ua vriste nënën. Zengjineja nuk pati kohë t’i thoshte: Po më merr  në qafë kot o kunat!  Do më mbeten fëmijët rrugëve…!? Kunati Asim, për të mbrojtur nderin e familjes së Shqopajve, tërhoqi këmbëzën e revolverit. Një plumb i vetëm në zemër mjaftoi t’i merrte jetën gruas së re. Asimi u bë erë. Nuk u kthye më në fshat dhe për një kohë të gjatë nuk u fol më për të. Për t’i shpëtuar xhandarmërisë vendase u bashkua me brigadat partizane. Këta në fillim e mirëpritën por më vonë kur mësuan se kishte vrarë motrën i rrinin larg. Vetëm ca çapaçulë e frikacakë i rrinin afër dhe e mërzisnin duke e pyetur: – Po si ishte ajo Shtëpia e Verdhë shoku Asim? Po ato fëmrat kur hyre në bordello, lakuriq ishin? Po sa duhet të paguaje? Aman na trego!- i luteshin. Nuk mund të mendonin ata langaraqë se atij çdo natë i dilnin në ëndër kunata me sytë e shqyer nga tmerri dhe sidomos fëmijët e lebetitur që i la sërish jetim. Dy muaj më vonë, gjatë një bombardimi të gjermanëve me mortaja, Asimi as që u përpoq të mbrohej. Dukej se kërkonte vet vdekjen dhe ajo erdhi nga një cilfël mortaje që e goditi prapa koke. Pas çlirimit shkollës së fshatit iu vu emri i dëshmorit Asim Shqopja, rënë në luftë kundër pushtuesit gjerman.