(Nga vëllimi me tregime « Thërrime nga e përditshmja ») Një sërë shtëpish njëra pas tjetrës… Para tyre, rruga automobilistike dhe menjëherë një pyll paanë e pafund. Drunj të fuqishëm, të lartë sa nuk ua shikon majën, janë kokolepsur njëri me tjetrin me shikimin drejt qiellit. Zogj pa fund, që garojnë se kush këndon më bukur, ketra që vrapojnë lart e poshtë, gjela deti të egër (mos iu afro, rrezik !) dhe së fundi drerët, me brirë dhe pa brirë, që qëndrojnë pa lëvizur dhe të shohin me ata sytë e mëdhenj sikur duan të pyesin ‘ç’do ti këtu’ dhe meqënëse nuk marrin përgjigje, ia marrin vrapit dhe zhduken nga sytë. Këtë panoramë e shikoj çdo ditë në shëtitjen time përgjatë rrugës që i shkon rrotull pyllit. Eci ngadalë, shpesh qëndroj dhe mundohem që me shikim të depërtoj në thellësi të kësaj xhungle të parë nëpër filma dhe të lexuar nëpër libra. Jam në një botë të paqtë, në një botë përrallash dhe ëndrrash. Shpesh, me pak guxim, bëj pak hapa në hyrje të kësaj xhungle moderne, dhe ulem në një gur të madh për t’u shplodhur dhe medituar. Por një ditë, një gjë e magjishme, e pazakonshme, më ndodhi. Në shëtitjen time të përditshme, kërkoj gurin për t’u ulur dhe nuk e gjej. Hedh shikimin nga të katër anët, e bindur që jam në vendin e duhur, por guri është zhdukur. Në vend të tij shoh një karrocë nga ato mbretëroret, plot shkëlqim e madhështi. – E pse të mos ulem ? Nuk paska njeri brenda. Çudi e madhe !, – thashe me zë të lartë, dhe u ula. Me t’u ulur, rrobat që kisha veshur, u zhdukën, dhe e shoh veten me rroba mbretëreshe. Mëndafshi plot ngjyra e zbukurime kishte veshur trupin tim me gjerdanë e varëse, plot gurë të çmuar mbështillnin qafën dhe krahët e mi. Po unazat… ? Nuk më dukeshin më gishtat! Pastaj, kurora mbretërore ! E përshtatur për kokën time, plot gurë të çmuar ! – O zot, – thashë me vete, – ç’po më ndodh ? Mos vallë ky është shpërblimi për të mirat që kam bërë ? Epo mirë, do kapardisem si një mbretëreshë e vërtetë, nuk kam rrëmbyer gjë, vetë m’i kanë dhënë. Dhe u mbështeta mirë e mirë, hodha sytë në brendësi të pyllit dhe këtu ndodhi magjia e pabesuar. Çfarë po shoh kështu? Kësulëkuqja me shportën në dorë po shkonte tek gjyshja e saj. Ujku i pabesë e ndiqte duke u fshehur pas pemëve. Desha të bërtas ‘Kësulëkuqe, ke ujkun mbrapa’, por nuk munda të nxjerr zë. Dhe ja, m’u përpara syve më kalon Borëbardha me shtatë xhuxhat që loznin e këndonin pa dyshuar që shtriga me mollën e helmuar po i ndiqte. Desha të flas me to, por prapë nuk më dilte zëri.‘ O zot, më ndihmo’, lutesha me vete. Por u qetësova se pashë princin që vinte për të shpëtuar Borëbardhën. Thellë në pyll, shikoj Hirushen me një këpucë në dorë dhe djalin e mbretit që e ndiqte pas. Ja edhe Bukuroshja e fjetur që si e hutuar shikon rrotull e rrotull ! Ja edhe Liza në botën e çudirave! E gjatë, e gjatë deri në majën e pemëve, Liza shikon rrotull botës sikur kërkon diçka. Po mrekullia tjetër…! Ohhh çfarë mrekullie ! Babagjyshi i Krishtlindjes, me karrocën e mbushur me dhurata, tërhequr nga katër kaprollë, po fluturonte nëpërmes degëve të pemëve për kush e di se ku. Ndoshta po shkonte tek fëmijët e mi, ndoshta kudo ku ka fëmijë, ndoshta vërtitet nëpër tërë botën për të ngjallur shpresë dhe gëzim. Desha ta thërres, ta përshëndes, por nuk me dilte zëri dhe ai me kamxhikun e artë drejtonte kaprollat për në vendin e duhur tërë entusiazëm. ‘He…He…Hej.. !’, ushëtinte pylli. Mbasi u kapardisa në karrocën mbretërore sa u lodha, mendova t’i befasoja mbesat e mia kur të kthehesha në shtëpi si mbretëreshë e vërtetë. Do shtangeshin kur të shikonin gjyshen mbretëreshë. Do besonin se ëndrrat në përralla edhe mund të realizohen. Do hyj befasisht. – Hej, vajza, shikoni, nëna juaj është mbretëreshë ! – Hahaha… na shkrive, nëna. Ku i ke marrë këto rroba ? Kështu do më pyesin dhe unë do tregoj çfarë më ndodhi. Dhe do më besojnë. A nuk e kanë para syve nënën e tyre mbretëreshë ? Ndoshta edhe mund të tallen, është kaq jashtë mode ! Por s’ka gjë, nuk fyem. Le të qeshim pak. Zbres nga karroca dhe sapo vë dy këmbët në tokë, rrobat mbretërore zhduken si të përzëna nga rrobat e mija qytetare. U mërzita dhe u nervozova. Kështu nuk do më besojë njeri kur të tregoj se çfarë përjetova. Po ashtu edhe karrocën sikur e përpiu dheu. Ah, ta marrë dreqi ! Po në fund të fundit, çfarë rëndësie ka nëse më besojnë apo jo ? Unë përjetova botën e mrekullueshme të përrallave, ato përralla që prindërit m’i kishin treguar siç ua tregova unë fëmijëve të mi. Ato përralla që shëtisin në tërë botën, që vënë fëmijët në gjumë, pa ndarje klasore, të pasur apo të varfër, pa ndarje racash dhe fesh….përralla që kapërcejnë kufijtë pa viza dhe pasaporta, që i çojnë fëmijët në një botë ku e mira e mund të keqen, ku bukuria shpirtërore zbukuron dhe fisnikëron njeriun. Në ganxhën e përrallave, në ganxhën e këtyre përrallave varim ëndrrat tona deri sa plakemi.






















