Studentët përgjigjen me protesta, kërkojnë rikthimin në auditore

297
Sigal

Vendimi për të mos rihapur auditoret në fakultete ka lënë të pakënaqur studentët. Duke pranuar masat anti-Covid ata shprehen se do të organizojnë protesta për të kundërshtuar qëndrimin e ekspertëve. Nga ana tjetër, Sindikatat e Arsimit parauniversitar kërkojnë masa për transportin e mësuesve dhe nxënësve.

Protestat e studentëve në fillim të nëntorit nuk kanë pasur ndikim të komitetin e ekspertëve të angazhuar në parandalimin e koronavirusit.

Në deklaratën e fundit sërisht është bërë e ditur se auditorët do të qëndrojnë të boshatisur dhe mësimet do të vazhdojnë online edhe pas datës 2 dhjetor.

Ky vendim nuk u mirëprit nga të rinjtë, të cilët thonë se e konsiderojnë të padrejtë që nuk trajtohen njësoj me arsimin parauniversitar.

“Kemi arsimin parauniversitar që zhvillon mësimin rregullisht, po ashtu dhe arsimin e mesëm. Kjo mbyllje është vetëm për Universitetet dhe ndodh në mënyrë të papritur.”

Përfaqësues të shoqërisë civile nuk përjashtojnë as mundësinë e rikthimit të protestave, duke respektuar masat anti-Covid.

“Është një mundësi që po diskutohet mes studentëve, protesta, por duke parë edhe situatën e pandemisë në vend.”