Fakulteti Shkencave të Edukimit ose ndryshe Cikli i Ulët në Universitetin e Elbasanit, ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të korruptuarit. Burime nga studentë dhe familjarë të tyre, i thane “Telegraf” se “nuk ka notë kaluese në rast se nuk jep 100 apo edhe 150 euro, pasi kush jep 50 mijë lekë të vjetra, nuk e merr provimin dhe kjo ndodh pasi atje shumica e pedagogëve janë të molepsur me sekserë dhe të shpërfytyruar nga korrupsioni”. Jo në pak raste fakulteti që mban emrin e Shkencave të Edukimit ose Cikli i Ulët, është bërë objekt i debateve, denoncimeve publike dhe penale, i rasteve flagrante kur sekserët e pedagogëve, pasi kalojnë në “sitë” studentët e ditës dhe part-time, nisin edhe hartimin e listave dhe marrjen e parave. Pothuajse tek ai fakultet, mësimi bëhet sa për të kaluar orët, kurse aferat korruptive nisin nga kati parë, ku janë të stacionuara sekretaret që shpesh marrin edhe atributet e pedagogut dhe dekanit. Studentët shprehen se “në rast se e ke mirë muhabetin me sekretaret, merr edhe provimin, ndryshon edhe notën, sepse ato janë veshi dhe zëri pedagogëve të korruptuar, atyre që na nxijnë jetën gjithë vitin shkollor, atyre që edhe kur mësojmë edhe kur mbushim faqet e fletoreve, nuk marrim nota kaluese në rast se nuk japim lekë”.
Heshtja e dekanit
Problemin shqetësues e di mirë edhe dekani i këtij fakulteti Vilson Kuri, i cili deri sot nuk ka kryer dhe nuk vazhdon të kryejë asnjë detyrim ligjor dhe funksional, duke mbrojtur në çdo rast ndonjë pedagog të denoncuar për korrupsion. Fakulteti Shkencave të Edukimit, mbetet i mbërthyer keq nga korrupsioni, pasi atje nuk funksionojnë as departamentet dhe as strukturat e tjera, kurse studentët që tentojnë të flasin dhe kërkojnë të drejtat e tyre, apo ndryshimin e notës kur e ndjejnë se janë përgatitur, futen në rrethin e kuq dhe mbeten në vjeshtë. Cikli i Ulët, falë miqësive dhe tarafeve, është kthyer në institucion ku gjellëron familjariteti. Shembulli më i mirë është prania e Përgjegjësit të Departamentit të Edukimit Qytetar A.H. dhe Zv/Dekanes dhe Përgjegjëses së Departamentit të Psikologjisë V. H. burrë e grua në të njëjtin vend pune. Ky fakt dhe shumë fakte të tjera, që tregojnë se fakultetet tona janë kthyer në vënde ku bëhen pazare dhe punësime familjarësh, tregon për zinxhirin e gjatë të problemeve, shkeljeve dhe aferave korruptive. Fakti është se, ata që sot e quajnë veten pedagogë dhe që përfliten për korrupsion, po njollosin hapur fare edhe pjesën tjetër të kolegëve të tyre, që punojnë dhe kontribojnë me vlerat e veta për të mësuar dhe nxjerrë nga auditoret studentë të pergatitur dhe jo kopjacë dhe parazitë, që nesër do të mbushin shkollat dhe institucionet e shtetit.
Fushata e sekserëve
Një tjetër problem mbetet tek studentët, afrimi sezonit të provimeve, pasi atëhere nis edhe fushata e sekserëve. E ndërsa studentët e Ciklit të Ulët dhe jo vetëm ata, ankohen dhe denoncojnë edhe në portalin “stop-korrupsionit” emra pedagogësh, janë pikërisht këta të fundit që pa iu trembur syri, vazhdojnë të sorrollatin studentët, të tallen me ata, t’u kthejnë nga 2-3 herë detyrat e duke ju bërë presione psikologjike për t’i pergatitur në fazën finale, ku rolin kryesor e ka sekseri. Vetëm në 3 vitet e fundit, në Prokurorinë e Elbasanit dhe Krimin Ekonomik, janë denoncuar dhe regjistruar mbi 70 raste për shumë nga pedagogët e këtij fakulteti. Burimet hetimore thanë se “janë në proces hetimi disa pedagogë edhe nga fakulteti Shkencave të Edukimit, ku përfshihen përgjime celularësh dhe denoncime nga studentët, dhe shumë shpejt do ti kërkohet gjykatës edhe masë arresti për ata”. Në gjithë këtë përfshirje, organet hetimore duhet thënë se kanë patur dhe kanë edhe mbështetjen e Rektoratit të UE, i cili gjithsesi mbetet i vetëm në luftën ndaj fenomeneve të korrupsionit në rradhën e gjatë të pedagogëve.