Strasburgu godet sërish vetingun, ish-prokurorja Sevdari fiton gjyqin

297
Sigal

Ish-prokurorja Antoneta Sevdari ka fituar procesin me qeverinë në Gjykatën e Strasburgut. Sevdari u shkarkua në kuadër të procesit të vetingut.

Strasburgu theksoi se në lidhje me rastin e Sevdarit ka shkelje të nenit 8 dhe se shkarkimi nuk ka qenë proporcional. Për pasojë, shtetit shqiptar do duhet ta dëmshpërblejë me 24.600 euro

Pavarësisht se Sevdari kaloi shkallën e parë të vetingut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorja u shkarkua nga detyra nga KPA. Por Sevdari nuk u ndal me kaq, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Sevdari u shkarkua në vitin 2019 nga trupa e vetingut ku ishte pjesë edhe Luan Daci. Ish-prokurorja ka deklaruar më parë se u shkarkua nga një gjyqtar që nuk di të shkruajë dhe me një CV “ulëritëse”. Sipas saj, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit qëndrojnë me shumicë persona pa integritet moral dhe profesional, që nuk e njohin Kodin Penal dhe në vend të reformimit të drejtësisë shqiptare, po e shkatërrojnë atë në themele.

Luan Daci është shpallur fajtor nga gjykata e posaçme GJKKO për falsifikim.

Para Sevdarit, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i dha të drejtë edhe ish-prokurorit Besnik Cani, i shkarkuar në vitin 2020 gjatë procesit të vetingut. “Strasburgu” konstatoi se emërimi si gjyqtar dhe zgjedhja nga Kuvendi i Luan Dacit u krye pa verifikuar të kaluarën e tij.