Strasburgu dënon Shqipërinë/ Gjykata Kushtetuese shkel Konventën për të Drejtat e Njeriut, qytetarët kanë vështirësi për një proces të drejtë gjyqësor

62
Sigal

 

Gjykata Kushtetuese ka shkelur pikën e parë të artikullit të gjashtë të Konventës për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve për akses në gjykata dhe për një proces të drejtë gjyqësor.

Ndryshimet në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi shkelin parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën e qytetarëve për t’iu drejtuar kësaj gjykate.

Me vendimin nr. 73274/17, të datës 29 nëntor 2022, GJEDNJ-ja vendosi se kërkesa në lidhje me cënimin e nenit 6/1 i KEDNJ-së të pranohet. Cënimi ka të bëjë me të drejtën e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shpalli ankimin kushtetuese të ankuesit si të papranueshme pasi është depozituar jashtë afatit 4 (katër) mujor, të parashikuar në ndryshimet e reja të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kërkuesi z.Çela, ishte palë ndërgjygjëse (i paditur) në një proces civil. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar kërkesën e paditësit AA, me vendimin e datës 6.10.2014, vendim ky që u ankimua në datën 16.10.2015 në Gjykatën e Apelit e më vonë në Gjykatën e Lartë, por të dyja këto gjykata lanë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Gjendur në këto kushte, kërkuesi i është drejtuar me ankim kushtetues Gjykatës Kushtetuese në datën 2 qershor 2017, e cila e shpalli të papranueshëm ankimin më 29 qershor 2017, me argumentin se është depozituar jashtë afatit katër mujor, duke llogaritur datën 11 nëntor 2016 kur vendimi i Gjykatës së Lartë ishte shpallur.

Pas ezaurimit të mjeteve efektive të brendshme, kërkuesi iu drejtua GJEDNJ-së me argumentin se e drejta e tij për akses në Gjykatën Kushtetuese ishte shkelur, pasi ndryshimet e reja në lidhje llogaritjen e afatit kohor për paraqitjen e një ankimi kushtetues nuk ishin të qarta. Në veçanti, asnjë dispozitë nuk specifikonte se ky afat do të llogaritej nga data në të cilën u shpall vendimi i Gjykatës së Lartë.

Gjykata vlerëson se nisur nga rrethanat e çështjes në fjalë, zbatimi i kufizimeve procedurale nga Gjykata Kushtetuese nuk ishte mjaftueshëm i qartë dhe i parashikueshëm nga këndvështrimi i kërkuesit dhe si rrjedhim nuk ishte në përputhje me parimin e sigurisë juridike.

GJEDNJ-ja u shpreh se Ligji nr. 99/2016 krijoi paqartësi për mënyrën se si do të llogaritej afati i ri për paraqitjen e ankimit kushtetues, pasi ky ligj kërkonte një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese lidhur me metodën e saktë që do të përdoret për të llogaritur atë afat kohor.