Shitja e 117 mijë tonëve naftë nga Albpetrol dështoi, nuk pati asnjë ofertë

450
Sigal

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi anulimin e ankandit për shitjen e 117 mijë tonëve naftë, një procedurë kjo e hapur në fund të muajit mars. Ky është ankandi i dytë që dështon sa i takon shitjes së naftës pas atij të fundit të janarit për një sasi disa herë më të vogël të nxjerrë për shitje nga kompania publike. Ministria argumentoi se anulimi bëhet në  kushtet kur nuk ka pasur interes për të blerë naftën.

“Autoriteti shitës, Albpetrol sh.a njofton anulimin e procedurës të ankandit “Procedurë e hapur”, me objekt “Shitje nafte brut, sasia 117 639 ton”, zhvilluar më datë 08.04.2020, ora 11.00, pranë ambienteve të MIE, për mungesë konkurrence, pasi nuk u paraqit asnjë ofertë, bazuar kjo në pikën 15, të urdhrit Nr. 83, datë 10.02.2012 “Për rregullat dhe procedurat e shitjes të produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar” thuhet në njoftimin e MIE.

Kjo ishte sasia më e madhe e nxjerrë në shitje nga kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend teksa zbulimi i vendndodhjes së saj tregon se sasia është siguruar jo vetëm nga puna e kompanisë por edhe pjesa që vjen si royalty nga marrëveshjet hidrokarbure aktive. Sipas të dhënave pjesa më e madhe është gjendje ndërsa në Patos-Marinzë ku ushtron aktivitetin Bankers Petroleum ku saktësisht janë 23 mijë ton, për të vijuar në Ballsh, Gorisht, Kuçovë, Amonicë, Visokë.

Më herët Alpetrol dispononte pa pjesën nga marrveshjet hidrokarbure një sasi 31 mijë tonë. Burime nga Alpetrol bënë me dije ditët e para të shpalljes së ankandit se afati i lëvrimit ishte 300 ditë dhe nafta do të tregtohej me çmimin që ka tregu në ditën e lëvirimit. Ata thanë se pavarësisht çmimeve të ulëta, puna vazhdon dhe nafta duhet të tregtohet.

Për herë të fundit Albpetrol shiti naftë në një ankand në fund të majit 2019 kur u nxorrën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.

Në tregjet globale nafta kë pësuar rënie drastike që nga nisja e situatës së koronavirusit. Në bursën e Londrës që është referencë edhe për blerjen e naftës në vendin tonë nga importuesit e shumicës në datën 15 prill një fuçi u shit me 29.6 dollarë. Rritja e kurbës që arriti pikun në 3 prill me 34.1 dollarë fuçia ka vijuar thyerjen ditë pas dite me luhajte të shumta.Çmimi më i ulët që nga nisja e situatës për naftën brend u regjistrua në 30 mars kur një fuçi u shit me 22.76 dollarë.